Kongresi i Parë i Shëndetësisë në Tiranë për sfidat e sistemit

Kongresi i Parë i Shëndetësisë në Tiranë ka bërë bashkë për rreth dy ditë me radhe në datat 6 dhe 7 mars politikëbërës, ekspertë shëndetësorë, profesionistë të kujdesit shëndetësor, përdoruesit e shërbimeve dhe aktorë të tjerë në një forum të përbashkët për të ndarë përvojat dhe për t’u angazhuar në dialog në lidhje me sfidat e sistemit shëndetësor.

Në këtë kongres morën pjesë mbi 2 000 të ftuar, përfshirë ministrat e  Shëndetësisë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, ministra e deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ekspertë të shëndetësisë nga disa vende të botës, ambasadorë, përfaqësues të organizmave kombëtare e ndërkombëtare, mjekë, infermierë e profesionistë të sistemit shëndetësor për të ndërtuar një platforme interaktive komunikimi.

Ky kongres është një medium për palët e interesuara për të reflektuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, për të mësuar dhe për të përshtatur ato në qëllim të ofrimit të një kujdesi më të mirë, rritjes së  cilësisë së shërbimeve dhe për t’u përditësuar me risitë më të fundit në fushën e shëndetësisë.

Drejtori i OBSH për Europën, Dr. Hans Henri Kluge, ka përshëndetur mbajtjen e Kongresit të Parë të Shëndetësisë në Shqipëri, nëpërmjet një videomesazhi.

Duke folur për arritjet në shëndetësi dhe vendosjen e qytetarit në qendër të shërbimit, Kluge nënvizoi se falë arritjeve, sistemin shëndetësor shqiptar e pret një e ardhme e ndritur.

Ai përgëzoi nisjen e fushatës mbarëkombëtare për vaksinimin e adoleshentëve ndaj HPV, bashkë me veprimtaritë e tjera të zakonshme të imunizimit të popullatës.

Kluge ka vlerësuar Ministren Manastirliu për drejtimin, si presidente, në Seancën e 71 të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Europën ndërsa shpreh edhe njëherë mbështetjen e OBSH për Shqipërinë në realizimin e Strategjisë Kombëtare për Shëndetin 2021-2030 dhe planin për Shëndetin Mendor deri në vitin 2026.

OBSH rajoni për Europën e konsideron Shqipërinë një vend partner të shëndoshë dhe një prej shtysave më të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor në fushën e Shëndetësisë dhe Mirëqënies, duke përfshirë edhe punën që Shqipëria ka bërë në fushën e komunikimit për riskun dhe angazhimin e komunitetit./ (6 mars)

Nga 30 prilli 2023, mjekët specialistë përfitojnë rritje të pagës

Duke nisur nga muaji prill, mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë (434 Euro) plus rrogën e tyre aktuale. Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë Kongresit të Shëndetësisë i cili nënvizoi se me këtë rritje të pagave, Shqipëria ngjitet më lart se vendet e rajonit për pagat e mjekëve specialistë.

Rama theksoi se qeveria ka rritur me 63% pagat që nga 2013 dhe sipas tij, kjo nuk mjafton.

”Autonomia spitalore është një mekanizëm i ri që do të krijojë mundësi për paga më të mira, por jo të barabarta, Autonomia do t’ju rrisë pagat atyre që punojnë më shumë, ata që bëjnë më shumë operacione e vizita”, u shpreh ai.

Rama theksoi se qeveria po punon për një pagë më dinjitoze për bluzat e bardha, ndërsa tha se do të mbajnë zotimin për rritjen 7% të pagës për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët

Kryeministri u ndal edhe tek largimi i mjekëve jashtë vendit, për të cilët tha se ka ardhur koha që të adresohet si problem dhe të merret një vendim përfundimtar.

“Sot studentët e mjekësisë paguajnë 1/16 e kostos reale dhe këtë gjë shteti e bën duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh, por shteti dhe taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë për këtë që ditët që mbarojnë studimet dhe marrin diplomën e mjekut ata të cilët financohen nga ky buxhet dhe nga kjo sakrificë, të ikin dhe të shërbejnë në Gjermani”, deklaroi Rama.

Ai tha se shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman dhe ky është një problem të cilin shumë vende e kanë adresuar dhe ka ardhur koha ta adresojmë.

Vetëm gjatë vitit 2022, për të plotësuar nevojat e sistemit shëndetësor shqiptar, janë punësuar 335 mjekë të përgjithshëm dhe specialistë dhe 950 infermiere dhe teknikë shkencash mjekësore.

Në vitet e fundit janë integruar më shumë se 400 mjekë specialistë në spitalet rajonale. Falë punësimit në mënyrë transparente dhe mbi baza meritokracie, mbi 5500 profesionistë të mjekësisë ushtrojnë profesionin e tyre në çdo cep të vendit./ (6 mars)

Autonomia spitalore do sjellë incentiva të reja financiare

 “Jemi zotuar të vijojmë rritjen e pagave për profesionistët e shëndetësisë”, tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në Kongresin e Shëndetësisë.

Ajo shtoi se autonomia spitalore do të ofrojë më shumë mundësi për mjekët për paga në bazë të performancës së tyre.

“Reforma spitalore, me modelit e ri të autonomisë spitalore do të mundësojë më shumë incentiva financiare për mjekët, nga pagesat për performancë dhe praktikën dyfishe”, nënvizoi Manastirliu.

Ministrja foli edhe për sfidën e mobilitetit të personelit shëndetësor, një sfidë që ka prekur jo vetëm vendet e rajonit por edhe ato të BE-së, me synim mbajtjen e profesionistëve në vend dhe zhvillimin e programeve për përthithjen e atyre që sot punojnë jashtë të përfshira këto si pjesë e Planit të Masave per Zhvillimin e Burimeve Njerëzore ‘20-‘30, për të plotësuar nevojat në të ardhmen, për profesionistë të shëndetësisë.

Ministrja bëri me dije se pas pak ditësh vihet në funksion Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme, ndërsa do të sigurohen procedura të reja në strukturat publike si fertilizimi in vitro, transplanti i palcës së kockës dhe trajtimet për insultet cerebrale.

Gjithashtu, ministrja ka dhënë lajmin e mirë për rimbursimin e fishave të diabetit falas për qytetarët mbi 65 vjeç./ (7 mars)

Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.