Tre qendra të reja rinore falë mbështetjes së BE-së
Të rinjtë shqiptarë në Përmet, rreth 120 kilometra në juglindje të Tiranës, tashmë kanë më shumë mundësi zhvillimi në qendrat e reja rinore, falë mbështetjes së BE-së.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri inauguroi së bashku me bashkinë e Përmetit tre qendra të reja rinore rekreative.
Rinovimet u mbështetën përmes programit të financuar nga BE-ja për zhvillimin socio-ekonomik “Njerëzit kryesorë-Njohuri kyçe” dhe EU4Municipalities.
“Evropa është këtu për të mbështetur bashkitë shqiptare, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mundësitë që u ofrohen qytetarëve të tyre”, u shpreh Delegacioni i Bashkimit Evropian./ (27 nëntor)
Bashkia e Lezhës, fituese e projektit të KE për ndriçimin publik
Bashkia e Lezhës, 90 kilometra në veriperëndim të Tiranës, u shpall fituese në thirrjen për projekte të fondeve IPA të programit INTERREG EURO-MED.
Kjo bashki u shpall fituese me projektin Pro-LIGHT së bashku me 7 partnerë të tjerë në rajonin Euro-Med, nga Komisioni Evropian.
Lezha është përfituese e fondit me një vlere prej 426 500 euro, të cilat do të investohen ne permiresimin e ndriçimit publik në qytet, me synim optimizimin e efikasitetit të energjisë dhe reduktimin e emetimit CO2 në rajonin EURO-MED.
Projekti për eficiencën e energjisë elektrike do të forcojë kapacitetet e bashkive dhe të institucioneve kombëtare si dhe do të prezantojë teknologji të reja dhe mekanizma financimi për tregun energjetik të Shqipërisë./ (27 nëntor)
Projekti i BE ruan specien e rrezikuar Kali i Qyqes në Shqipëri
Dikur shtëpia e katër llojeve të shkabave, Shqipëria tani strehon vetëm Kalin e Qyqes (Neophron percnopterus), i gjendur kryesisht në rajonin e Gjirokastrës, 200 kilometra në juglindje të Tiranës.
Të lindur në këto male, këta shpendë ndërmarrin një rrugë migrimi prej 8 000 km për në zonat e tyre të dimërimit në Afrikë duke u kthyer në shtëpi çdo pranverë.
Fatkeqësisht, Kali i Qyqes përballet me zhdukjen, me një rënie prej 80% të popullsisë gjatë tri dekadave të fundit.
Të klasifikuar si të rrezikuar nga Lista e Kuqe e Unionit Ndërkombëtar të Konservimit të Natyrës (IUCN), ambientalistët shqiptarë kanë bashkuar përpjekjet për ta mbrojtur këtë specie.
Projekti BalkanDetox LIFE, i financuar nga BE-ja dhe që përfshin tetë organizata në shtatë vende të Ballkanit ku banojnë këta shpend, filloi në vitin 2020.
Në Shqipëri, nisma e zbatuar nga PPNEA përfshin sesione trajnimi me përfaqësues institucionalë nga zonat e mbrojtura që advokojnë dhe zbatojnë ndryshime ligjore për mbrojtjen e tyre, duke përcaktuar rolet dhe përgjegjësitë e të gjitha palëve të interesuara.
Projekti BalkanDetox LIFE synon të forcojë kapacitetet kombëtare midis aktorëve kryesorë për të minimizuar shkallën dhe shtrirjen e helmimit të kafshëve të egra në shtatë vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë.
Projekti financohet nga Programi LIFE, instrumenti financues i BE-së për veprimin mjedisor dhe klimatik, dhe zbatohet nga Fondacioni për Ruajtjen e Shkabave në një përpjekje të përbashkët me tetë organizata ballkanike.
Ky projekt ka nisur më 1 tetor 2020 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2025. (27 nëntor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.