500 milionë lekë në dispozicion të kultivuesve të grurit
Qeveria mori vendim në fund të korrikut që të subvencionojë prodhimin e grurit në vend, në këtë periudhë të vështirë për shkak të luftës në Ukrainë.Me një fond prej 500 milionë lekë në dispozicion të kultivuesve të grurit, synohet rritja e sasisë së grurit të prodhuar në vend për shkak të dinamikës së çmimit të grurit dhe vendosjes së ndalimit të eksportit të tij nga shumë vende pas agresionit rus.Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka deklaruar se përmes kësaj mase, kultivuesit e grurit me sipërfaqe mbi 1 ha, që janë edhe prodhuesit kryesor që dalin në treg, do të përfitojnë një mbështetje prej 30 000 mijë lekë për hektar.Nga kjo skemë do të përfitojnë mbështetje rreth 7300 fermerë dhe përmes saj synohet rritja e sipërfaqes së kultivuar me grurë me 17 mijë ha, për të arritur në 70000 ha në total vitin që vjen.Me këtë skemë mbështetje, qeveria synon të dyfishojë prodhimin e grurit në vend që prodhohet për tregtim nga 60 mijë tonë në 120 mijë tonë. “Prodhimi këtë vit i grurit ka qenë në normat historike të tij duke arritur përafërsisht 225 mijë tonë grurë, apo gjysmën e sasisë që konsumojmë”, ka nënvizuar ministrja.
Mbi 1 mijë aplikime në vetëm 24 orë
Me 1 shtator prodhuesit e grurit nisën aplikimet për përfitimin nga skema mbështetëse e qeverisë. Mbi 1 mijë fermerë shfaqën interes përmes portalit e-Albania në më pak se 30 orë, për të përfituar mbështetje financiare për kultivimin e grurit.Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Eranda Selmanaj ka sqaruar se gjatë aplikimit online në portalin qeveritar e-Albania nuk nevojitet asnjë dokument pasi ato do të duhen pas shpalljes së fituesve.Dokumentacioni që kërkohet është certifikata e pronësisë për ata që e kanë të regjistruar dhe kanë një certifikatë pronësie, tapitë e vjetra për familjet bujqësore dhe kontratat e qerasë për ata që e kanë me qira.Prej 1 shtatorit deri në 23 shtator fermerët mund të aplikojnë në portalin e-Albania. Fermerët mund të asistohen nëpërmjet numrit jeshil 08008383, nga specialistët e agropikave dhe agjencive rajonale të Ekstensionit Bujqësor në territor.Fondi shtesë i miratuar nga qeveria për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Blegtori arrin vlerën e 1.2 miliardë lekëve. Përveç prodhuesve të grurit, do mbështeten me 40 lekë/litër karburant anijet e peshkimit për furnizimet nga data 1 korrik 2022 deri më 31 dhjetor 2022.
Asnjë kufizim për eksportin e grurit mes vendeve të “Ballkanit të Hapur”
Në kuadër të Samitit të radhës së “Ballkanit të Hapur” mbajtur në Beograd u nënshkrua marrëveshja që garanton ngritjen e Mekanizmit të Sigurimit Ushqimor.Ministrat e Bujqësisë së Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshjen për heqjen e çdo bllokimi, ndalese apo kufizimi në sasi mbi eksportet e produkteve thelbësore bujqësore, përfshirë grurë, misër dhe produkte te tjera bazë mes tre vendeve tona. “Edhe nëse një nga vendet do të vendosë të bllokojë eksportet bujqësore për drithra, ato do të jenë të hapura mes vendeve tona të Ballkanit të Hapur”, ka nënvizuar ministrja.Krifca ka theksuar se mbështetja ndaj fermerëve përmes skemës kombëtare të zgjerimit të prodhimit të grurit në vend dhe sigurimi i tregjeve të hapura e funksionale në këtë kohë presioni mbi tregjet globale të drithit, janë dy shinat paralele për të garantuar furnizim të rregullt e të pandërprerë ushqimor në vend.Në 4 muajt e parë të 2022, volumi tregtar mes tre vendeve tona është rritur me 70% duke arritur në mbi 57 milionë euro nga 33 milionë euro që ishte në katër mujorin e parë 2021.
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.