Parlamenti Europian miratoi sot në seancë plenare në Strasburg me 502 vota nga 686 të pranishëm në sallë, raportin mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024, i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder.
Ndërkaq, pas miratimit në Strasburg, autoritetet në Shqipëri përshëndetën raportin duke e vënë theksin se ky raport përbën nxitje për vijimin e reformave që do ta bëjnë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian.
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj e vlerësoi rezolutën e Parlamentit Evropian si mbështetje ndaj procesit të reformave që Shqipëria ka ndërmarrë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“Konfirmimi dhe mbështetja e Parlamentit Evropian i jep Shqipërisë me rezolutën e fundit energji për procesin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mirënjohja duhet të shprehet me punë dhe bashkëpunim parlamentar në të gjitha drejtimet dhe për çdo aspekt të rezolutës”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali u shpreh se ky raport përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe konfirmon mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Europian.
“Ne mirëpresim raportin e Parlamentit Europian, vlerësojmë rolin e tij konstruktiv dhe mbështetës, dhe falënderojmë eurodeputetët për ndjekjen me vëmendje të zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit”, theksoi Spiropali.
Në raport, eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik të Shqipërisë dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësim në BE, së bashku me përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Ndërsa mirëpresin qëllimin e Shqipërisë për të përfunduar bisedimet e pranimit deri në vitin 2027 dhe progresin e bërë tashmë, eurodeputetët theksojnë nevojën urgjente për të intensifikuar reformat.
Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë gjyqësore, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Rritja e pluralizmit dhe transparencës së medias mbetet thelbësore për të ndërtuar besimin e publikut, thonë eurodeputetët.
Raporti vëren polarizimin e vazhdueshëm politik të shënuar nga retorika konfrontuese dhe bën thirrje për dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.
Ai gjithashtu u kërkon autoriteteve të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të mbrojtur pavarësinë gjyqësore dhe për të rritur llogaridhënien. (9 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
