Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një reformë zgjedhore tërësisht të përputhshme me rekomandimet e OSBE-ODIHR, në mënyrë që të krijohet një garë politike e drejtë dhe e barabartë.
Ambasadori Gonzato mbajti fjalën në në konferencën: “Ndërtimi i besimit në votime: Financimi politik dhe Reforma Zgjedhore në Shqipëri”, të organizuar nga International IDEA dhe Qendra për Sundimin e Ligjit e Universitetit të Helsinkit, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku vuri theksin tek reforma zgjedhore.
“Duhet një reformë zgjedhore që krijon mjedis me vërtetësi konkurruese dhe barazi për të gjitha palët. Ne kërkojmë një reformë gjithëpërfshirëse, në vijë me rekomandimet e OSBE-ODIHR”, theksoi Gonzato.
Deklaratat vijnë ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore që do të marrë në shqyrtim rekomandimet e OSBE-ODIHR, që bashkëkryesohet nga përfaqësues të dy partive më të mëdha parlamentare, PS dhe PD.
Ndërkaq, financimi i partive politike ishte ndër temat e diskutuara në konferencë ku Gonzato u shpreh se transparenca në financimin e partive politike nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një garanci për mbrojtjen e demokracisë dhe për evitimin e ndërhyrjeve të jashtme.
“Transparenca në financimin e partive jep më shumë siguri për forcimin e demokracisë. Kjo mbyll hapësirat për korrupsion dhe mbron integritetin e procesit politik”, deklaroi ambasadori.
Ai nënvizoi se, Bashkimi Europian ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Shqipërinë në këtë proces dhe vuri në dukje se vendi ndodhet në një moment vendimtar, teksa pritet të ecet drejt mbylljes së kapitujve të negociatave.
Gonzato shtoi se, transparenca financiare është e domosdoshme për të mbrojtur partitë politike dhe institucionet nga çdo ndikim i huaj i mundshëm, duke e cilësuar atë si një element të sigurisë kombëtare dhe të integritetit demokratik.
“Financimi transparent i partive është çështje e integritetit demokratik dhe besimit publik. Kjo është e rëndësishme edhe për të mbrojtur partitë nga ndërhyrjet e huaja”, u shpreh ai.
Gjithashtu në konferencë u prezantuan gjetjet paraprake të një studimi të International IDEA mbi aksesin në financimin politik për të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara.
Nga ana e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se brenda këtij muaji, duhet miratuar një ligj i ri, që duhet ta adresojë ndryshe çështjen e financimit periodik të partive politike.
Ai i bëri të ditura propozimet konkrete të KQZ-së duke nënvizuar se ka nevojë për rregulla të përmirësuara në lidhje me financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore.
“Një ligj që të na garantojnë qartësi se kush financon kë si dhe sa, auditim të plotë dhe eficiencë të institucioneve mbikëqyrëse dhe kontrolluese të financimit”, tha Celibashi.
Sipas kryekomisionerit, raportet vjetore të KQZ-së për 3 vitet e fundit tregojnë nivel të ulët të raportimit financiar të partive. (9 dhjetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
