Temperaturat e larta kanë përfshirë javët e fundit edhe Shqipërinë duke favorizuar vatrat e zjarrit në disa qarqe, ku më problematik ka qenë ai në zonën e Finiqit në jug të vendit.

Prej pesë ditësh një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një zonë të vështirë malore mes Malçanit dhe Grazhdanit, në territorin e Bashkisë së Finiqit.

Pas përpjekjesh disaditore të Emergjencave Civile shqiptare, vatra e zjarrit u vendos në kontroll edhe me ndërhyrjen e dy aeroplanëve nga Mekanizmi i Mbrojtjes i BE-së.

Kështu, rezerva e emergjencës e BE-së u vendos në veprim ndërsa dy aeroplanë zjarrfikës nga flota e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së të vendosur në Greqi, ndihmuan në shuarjen e një zjarri që preku komunën e Finiqit, pranë kufirit grek.

Edhe vitin e kaluar avionë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE ishin të rëndësishëm në shuarjen e zjarrit të fuqishëm që përfshiu disa zona na Dropull dhe Finiq.

Shqipëria u bë zyrtarisht Shtet Pjesëmarrës i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së në nëntor të vitit 2022, një mekanizëm që ka ndihmuar prej këtij viti në disa situata.

Edhe vitin e kaluar, zjarret massive që prekën vendin kërkuan ndihmën e Mekanizmit evropian të Emergjencave Civile.

Ky mekanizëm përbën themelin e sistemit të menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë i BE-së.

Për shqipërinë, pjesëmarrja në mekanizëm konsiderohet hap madhor në forcimin e bashkëpunimit rajonal për menaxhimin e fatkeqësive.

Si anëtare me të drejta të plota e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Shqipëria jo vetëm që është në gjendje të marrë mbështetje të menjëhershme, por gjithashtu mund të dërgojë ndihmë në vendet e goditura nga një fatkeqësi nëpërmjet Mekanizmit, duke çuar në një reagim më të fortë dhe më të koordinuar ndaj krizave në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës.

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së synon të forcojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe 8 shteteve pjesëmarrëse (Islanda, Norvegjia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina dhe së fundmi Shqipëria) për mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive. (7 korrik)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.