Agjencia shqiptare për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) nëpërmjet programit IPARD II ka kontraktuar në total 476 investime në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit në katër thirrjet për aplikime.
Sipas AZHBR-së, vlera totale e investimeve arriti në 182 milionë euro, nga të cilat vlera e grantit ishte 81,97 milionë euro.
Me këtë mbështetje janë kryer investime të reja në 28 ferma blegtorale, 45 investime në turizëm rural, 149 investime në mekanikë bujqësore, 39 linja përpunimi dhe pajisje në funksion të tyre, 81 magazina dhe pika grumbullimi, 17 investime për kantina vere, 77 investime në serra dhe 18 investime në panele diellore.
Investimet i shërbejnë përmirësimit dhe standardizimit të proceseve bujqësore, blegtorale dhe kapaciteteve të magazinimit, agropërpunimit, mbarështimit, diversifikimit të biznesit, shërbimeve të turizmit rural, energjisë së rinovueshme, përmirësimit të mekanikës bujqësore e tjerë.
Synimi i programit IPARD, nga fondet e Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, është zhvillimi i bujqësisë përmes modernizimit dhe automatizimit të veprimtarisë së fermave dhe eksporteve, që ndikon pozitivisht në ekonominë e fermerëve dhe sipërmarrësve, në punësimin e të rinjve dhe zhvillimin e bizneseve në zonat rurale.
Pas vlerësimit pozitiv nga komuniteti europian, AZHBR është në pritje të fondeve të reja përmes programit IPARD III, me 146 milionë euro të gatshme për t’u injektuar në ekonominë e vendit./ (3 nëntor 2022)
5,8 milionë euro për 18 sipërmarrje për energjinë e rinovueshme
Energjia e rinovueshme është një nga masat që mbështet programit IPARD II, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria shqiptare.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se deri tani janë financuar 18 sipërmarrje, në ferma, magazina, stalla dhe agroturizëm, me investime në fushën e energjisë së rinovueshme.
Nëpërmjet programit IPARD II, janë financuar në formën e grantit 5,8 milionë euro, ndëkohë që vlera e investimit për energjinë e rinovueshme në sektorin e bujqësisë llogaritet në vlerën e 14,4 milionë eurove në të gjithë Shqipërinë.
Ndërtimi i panele fotovoltaike në sipërmarrjet rurale kursen deri në 90% të energjisë elektrike që nevojitet për aktivitetet bujqësore dhe agropërpunuese duke ulur kështu kostot për përdorimin e energjisë elektrike.
“Fermerët dhe sipërmarrjet rurale, do të përfitojnë nga një akses më i gjerë në financim për projekte të ruajtjes energjetike, falë edhe programit IPARD III, që nis vitin që vjen”, njofton AZHBR./ (1 nëntor 2022)
476 kontrata investimi në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural deklaron se ka nënshkruar gjithsej 81 kontrata në kuadër të programit mbështetës IPARD II, për rritjen e hapësirave magazinuese dhe kapaciteteve ruajtëse të produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Sipas AZHBR-së, këto hapësira konsistojnë në magazina, dhoma frigoriferike, pika grumbullimi e tjerë.
Në sajë të këtyre investimeve është bërë e mundur shmangia e humbjeve të produkteve pas grumbullimit, duke ruajtur vlerën e tyre dhe rritja e rendimentit të punës, duke sjellë edhe më shumë të ardhura për fermerët.
Vlera totale e investimit deri tani është rreth 50 milionë euro, ndërsa vlera e grantit për 81 kontratat e nënshkruara është rreth 24 milionë euro, fonde të Bashkimit Evropian në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare.
Gjithashtu, AZHBR ka disbursuar 40,611 fermerë, me vlerë 3,7 miliardë lekë deri më tani, duke kontribuar në uljen e kostove të punës tek fermerët dhe sipërmarrësit në fshat, me rezultate pozitive në ekonominë rurale dhe atë familjare.
Skema Kombëtare e mbështetur nga buxheti i shtetit është një mjet i rëndësishëm përsa i përket zhvillimit dhe shtimit të prodhimit në bujqësi, blegtori, bletari e tjerë përmes fondit prej 4,9 miliardë lekë, i cili shkon në mbështetje të produkteve vendase./ (31 tetor 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.
