Bruksel (dpa) – Komisioni Evropian gjobiti operatorët kombëtarë të hekurudhave të Çekisë dhe Austrisë me një total prej 48.7 milionë Euro të mërkurën për shkelje të rregullave të konkurrencës së Bashkimit Evropian.
Operatori çek České Dráhy (ČD) përballet me një gjobë prej pothuajse 32 milionë Euro dhe ofruesi austriak Österreichische Bundesbahnen
(ÖBB) prej 16.7 milionë Euro.
“ČD dhe ÖBB bashkëpunuan për të parandaluar një hyrës të ri, RegioJet, që të ketë qasje në vagonë të përdorur, duke kufizuar kështu konkurrencën në tregun e transportit për pasagjerë hekurudhor,” tha komisioni.
Konkurrenti i përjashtuar nga blerja e vagonëve të përdorur
RegioJet mbështetej në vagonët e përdorur të ÖBB për të hyrë në tregun çek pasi ata tashmë ishin miratuar për operime në vend.
Ndërmjet viteve 2012 dhe 2016, “ČD dhe ÖBB koordinuan veprimet e tyre në proceset e shitjes që lidhen me vagonët e përdorur të ÖBB për transport të pasagjerëve në distanca të gjata, për të parandaluar RegioJet nga blerja e tyre,” përfundoi komisioni.
Me veprimet e tyre dy operatorët “bashkëpunuan për të ruajtur pozicionin e tyre në treg dhe për të penguar zgjerimin e RegioJet si në Çeki ashtu edhe në rrugën ndërkombëtare hekurudhore midis Pragës dhe Vjenës,” tha komisioni.
Kompanitë e gjobitura mund të apelojnë kundër vendimit të komisionit. (23 Tetor)