Inflacioni 7,2% në janar 2023
Inflacioni shfaqi shenja ngadalësimi, edhe në muajin janar të këtij viti.
Bazuar në indeksin e çmimeve të konsumit publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit në muajin janar ishte 7,2%.
Nivelin më të lartë inflacioni e shënoi në muajin tetor 2022, kur arriti 8,3%, ndërsa në nëntor dhe dhjetor shfaqi tendencë rënie.
Sipas INSTAT-it, një vit më parë ky ndryshim ishte 3,7%.
Referuar raportit të INSTAT-it, krahasuar me muajin janar 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,3 %, pasuar nga grupet “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,6 % dhe “transporti” me 6,5%.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 26,4 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 21,4 %, “peshk” me 17,3 %, “bukë dhe drithëra” me 15,3 %, “mish” me 14,4 % dhe “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 14,3 %.
Nga ana tjetër, çmimet e grupeve “veshje dhe këpucë” dhe “shëndeti” u ulën me 0,1% secili./ (13 shkurt)
Aktiviteti ekonomik u rrit në 6-mujorin e dytë 2022
Banka e Shqipërisë (BSH) vlerëson se inflacioni shënoi rënie në muajt nëntor e dhjetor 2022, aktiviteti ekonomik vijoi të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa efekti i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare po shfaqet më i plotë në tregjet financiare.
Në raportin e Politikës Monetare që prezantoi BSH-ja, theksohet se, “tendenca në rënie e inflacionit pritet të vazhdojë edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm. Përditësimi i parashikimeve rikonfirmon pritjet tona se, inflacioni do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024”.
Gjithashtu, vëren BSH, ekonomia shqiptare ka shfaqur një rezistencë të mirë ndaj goditjeve të huaja të ofertës dhe shtrëngimit të kushteve monetare, në vend dhe në botë.
Ndërkohë, e nxitur nga dinamizmi i sektorit privat, rritja ekonomike e vitit 2022 pritet të jetë rreth nivelit 4% dhe të ketë një shpërndarje të mirë sektoriale. Po ashtu, punësimi dhe pagat kanë pasur rritje të shpejta, ndërkohë që norma e papunësisë është në nivele minimale historike. Ndonëse norma e rritjes pritet të shënojë një rënie të lehtë, ekonomia shqiptare do të vijojë të gjenerojë vende të reja pune dhe norma pozitive rritjeje gjatë vitit 2023.
Sipas BSH-së, edhe deficiti buxhetor ka shënuar rënie, ndërsa leku është forcuar në kursin e këmbimit valutor.
Gjatë vitit të kaluar, deficiti buxhetor i qeverisë shqiptare është vlerësuar në nivele më të ulëta se parashikimet. Në këtë mënyrë, ruajtja e një pozicioni më konsolidues të politikës fiskale, sipas Bankës së Shqipërisë, ka krijuar hapësira për ta ngadalësuar disi lëvizjen në kah shtrëngues edhe të politikës monetare.
“Një faktor tjetër që vlerësohet të ketë ndikuar në uljen e inflacionit përtej pritshmërive të Bankës Qendrore ka qenë zhvillimet pozitive në sektorin energjetik. Prurjet e favorshme të lumenjve pas muajit nëntor kanë rritur prodhimin e energjisë elektrike dhe kanë ulur nevojën për import. Ky zhvillim ka qenë përcaktues edhe në mosaplikimin e tarifimit të diferencuar me fasha konsumi, siç kishte vendosur paraprakisht qeveria shqiptare”, thekson BSH-ja./ (11 shkurt)
Totali i investimeve në ekonomi u rrit 7,1%
Investimet totale iu rikthyen normave pozitive të rritjes në tremujorin e tretë të vitit 2022, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, totali i investimeve në ekonomi u rrit me 7,1 %, ndikuar kryesisht nga investimet private.
Të dhënat nga importi i mallrave si dhe nga Vlera e Shtuar Bruto sipas sektorëve tregojnë për rritje të investimeve private në dy kategoritë kryesore, ndërtim dhe makineri e pajisje.
Gjendja financiare mbi mesataren historike, shfrytëzimi më i lartë i kapaciteteve prodhuese, përshtatja në kohë me situatën e çmimeve të rritura, si dhe kërkesa e qëndrueshme konsumatore, janë faktorë që kanë nxitur bizneset për të investuar në tremujorin e tretë.
Nga ana tjetër, komponenti publik i investimeve ka vijuar të japë kontribut të qëndrueshëm./ (11 shkurt)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.