Hera e parë kur një samit i BE-së del jashtë kufijve të Unionit

Tirana u kthye të martën në epiqendrën e politikës evropiane, ku për të parën herë liderët e Bashkimit Evropian vendosën që të mbajnë një samit për Ballkanin Perëndimor jashtë kufijve të Unionit.

Mbajtja e këtij samiti me pjesëmarrjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, Komisionerit Oliver Varhelyi si dhe krerëve të shteteve apo qeverive të shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor u konsiderua si shenjë e mbështetjes dhe e përkushtimit të BE-së për integrimin e vendeve të rajonit.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë takim jo vetë si “një moment historik dhe shenjë të jashtëzakonshme të një vetëdijesimi të faktit që Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa ky rajon ka për BE-në”, por edhe si “një ngjarjeje të paharrueshme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë”.

Pas fotos historike në Tiranë të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, u mbajt edhe një nga veprimtaritë më të veçanta që shoqëroi agjendën e punimeve të Samitit, një koncert i shkurtër me valle popullore me ritmet e veriut dhe jugut të Shqipërisë dhe më pas nga artistët e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Samiti miratoi një deklaratë prej 32 pikash, ku theksohet se procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit do të jetë në bazë të meritës. Liderët evropianë dhe të rajonit në Deklaratën e Tiranës kërkojnë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve. Një apel lëshohet dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në deklaratë evidentohet se paketa e re e BE-së e Mbështetjes për Energjinë do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor të zbutë ndikimin e krizës energjetike dhe të përshpejtojë tranzicionin energjetik në rajon./ (6 dhjetor)

BE e gatshme për integrimin dhe investimet në rajon

Në deklaratën e përbashkët për shtyp, në përfundim të punimeve të samitit, u vlerësua qëndrimi i vendeve të rajonit në linjë me atë të BE-së, si një tregues i fortë i qëndrimit gjeopolitik të partnerëve, veçanërisht kur Rusia vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp në përfundim të samitit.

“Jam i bindur në mënyrë absolute që e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e sigurtë dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor në BE”, tha Michel.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se “BE do ta mbështesë BP me një paketë prej një miliard eurosh. 500 milionë euro do të jenë për të mbështetur bizneset dhe familjet në nevojë, kurse 500 milionët e tjerë për investime në energjinë e rinovueshme për të pasur pavarësi nga Rusia”.

Kryeministri Rama vlerësoi si një “lajm të shkëlqyer për rininë” ngritjen në Tiranë të një kampusit të Kolegjit të Bryzhit. “Universitetet e BP do të bëhen pjesë e universiteteve në BE. Studentët nga vendet e BP do të mund të ndjekin studimet edhe duke qëndruar në vendin e tyre”, tha Rama./ (6 dhjetor)

BE dhe BP nënshkruajnë marrëveshjen për roaming

Operatorët e telekomunikacionit nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen për roaming që mundëson reduktimin e tarifave të roaming-ut midis vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nga 1 tetori 2023.v

Qëllimi i marrëveshjes është të lehtësojë komunikimin e qytetarëve dhe bizneseve të Ballkanit Perëndimor. Përfitimet e kësaj nisme janë të shumëfishta, pasi zvogëlon koston e roaming-ut për qytetarët që udhëtojnë në rajon e BE, si dhe ul kostot operative të biznesit.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe BE.

Samiti në Tiranëu konkretizua me përfitime konkrete, vecanërisht për Shqipërinë.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se pjesa e investimeve hekurudhore për Korridorin VIII do të përfshihet në korridoret bërthamë të Bashkimit Evropian.

Ajo tha se me transhin e parë kemi përfituar 85 milionë euro që janë injektim direkt në buxhetin e shtetit për t’u përdorur për importet që do të kemi në të ardhmen.

Balluku tha se “në paketën e dytë, zhvillohet përmes fondeve të ËBIF, ku secili nga gjashtë shtetet duhet të konkurrojë me projekte që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve të shtuara të energjisë së rinovueshme dhe që kanë të bëjnë me eficiencën e energjisë, kemi marrë pjesë me tre projekte kryesore”.

Balluku informoi se BE dhe KE kanë vendosur të mbështesin edhe projektet e Shqipërisë për furnizmin me gaz./ (6 dhjetor)

Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.