Shqipëria dhe Italia nënshkruan marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë nga ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Tajani theksoi se “finalizimi i kësaj marrëveshjeje ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen”.

“Kishte rreth 15 vite që prisnim këtë firmë që garanton të drejtat e punonjësve italianë në Shqipëri apo të punonjësve shqiptarë në Itali për pensionet”, tha Tajani.

Ministri shqiptar, Igli Hasani e cilësoi nënshkrimin e marëveshjes “një moment shumë të rëndësishëm për shqiptarët që punojnë në Itali”.

Nga zbatimi i marrëveshjes, janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë të cilëve do t’iu sigurohet bashkimi i periudhave të kontributeve.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme shqiptare e sigurimeve shoqërore, që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet, shtatzëninë  dhe sigurimin e papunësisë.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama në një videomesazh me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes e cilësoi “ditë triumfi edhe për politikën”, duke e konsideruar si “një mjet të pazëvendësueshëm për ta bërë më të mirë, më të sigurtë dhe më dinjitoze jetën e njerëzve të zakonshëm”./ (8 shkurt)