Shqipëria partnere e rëndësishme e BE-së

Presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier nisi sot vizitën zyrtare dyditore në Tiranë.

Kjo është vizita e parë e një presidenti gjerman në Republikën e Shqipërisë në 27 vitet e fundit dhe përbën një sinjal mbështetjeje nga ana e Gjermanisë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Steinmeier u prit me ceremoni shtetërore nga homologu Bajram Begaj që u pasua me konferencën e përbashkët për median.

Bega tha se “për shqiptarët Republika Federale e Gjermanisë është vend mik dhe partnere e pazëvendësueshme, që na ka mbështetur në të gjitha nivelet,  politik, diplomatik, ekonomik, në rrugëtimin euro-atlantik, demokratizimin e vendit dhe stabilitetin e rajonit”.

Ai theksoi se mbështetja e Bundestagut dhe e qeverisë gjermane për reformat e integrimit evropian, reformën në drejtësi, në policinë e shtetit, reforma në sektorë të rëndësishëm si energjia ka qenë e pandërprerë dhe gjithmonë e mirëpritur. 

Begaj e falënderoi Steinmeier për rolin vendimtar që luajti Gjermania për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, në korrik të këtij viti.

Kreu i Shtetit nënvizoi se Procesi i Berlinit është shembulli më i mirë i angazhimit gjerman në rajon.  

Ai shtoi se marrja e presidencës së Procesit të Berlinit nga Shqipëria vitin e ardhshëm dhe Samiti i Tiranës, janë ngjarje historike dhe domethënëse për Shqipërinë dhe rajonin, në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Steinmeier theksoi se “Shqipëria është një vend mik dhe partnere e  rëndësishme e Bashkimit Evropian dhe në veçanti e Gjermanisë. Shqipëria jep kontributin e saj për kohezionin në Evropë duke mbështetur qëndrimet e politikës së jashtme të BE-së si dhe duke miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe Bjellorusisë”. 

Steinmeier tha se “Shqipëria do ta pasurojë Bashkimin Evropian edhe në dimensionin kulturor”.

Ai falënderoi për angazhimin e  veçantë gjatë Procesit të Berlinit duke theksuar se ratifikimi dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara të mobilitetit do të shkurtojnë distancat me tregjet e BE-së dhe do ta bëjnë rajonin përgjithësisht më tërheqës dhe konkurrues.  

Për sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, të dy presidentët theksuan se çdo kontribut që sjell në uljen e përshkallëzimit të konflikteve është i mirëpritur./ (1 dhjetor)

Mesazhi i presidentit gjerman në Parlamentin e Shqipërisë

Presidenti Federal i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier mbajti  një fjalë përshëndetëse në Parlamentin e Shqipërisë, ku ishin të pranishëm edhe ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik.

“Kënaqësi të jem pranë jush në Tiranë, në këtë qytet rinor, entuziast për të ardhmen, një qytet i vërtetë evropian”, tha Steinmeier.

“I bëj thirrje të gjithë njerëzve që kanë dyshime për BE, që e kanë humbur nga sytë dimensionin historik të projektit europian, hajdeni në Shqipëri dhe lejoni të “infektoheni” me shpirtin proevropian’”, tha ai në parlament.

Presidenti gjerman i bëri thirrje opozitës dhe qeverisë që të punojnë së bashku, përtej llogoreve politike, për destinacionin e përbashkët për anëtarësim në BE.  

Steinmeier deklaroi sot se Shqipëria me pozicionimin e saj krah vlerave evropiane mund të jetë model shumë i mirë për evropianët dhe vetë Gjermaninë.

Ai nënvizoi se edhe pse anëtarësimi në BE nuk është ende realitet, Shqipëria në nivel ndërkombëtar është provuar prej kohësh si demokraci e pjekur.

“Ju e keni reformuar vendin tuaj duke patur në mendje objektivin e qartë të anëtarësimit në BE. Dhe sukseset janë dukshëm të identifikueshme”, tha presidenti gjerman./ (1 dhjetor)

Bashkëpunimi Shqipëri-Gjermani

Janë rreth 200 marrëveshje bashkëpunimi, të nënshkruara dhe në proces, mes Shqipërisë dhe Gjermanisë që dëshmojë  bashkëpunimin në 30 vitet e fundit.

Angazhimi i qeverisë gjermane, përmes KfW dhe GIZ, nëpërmjet suportit financiar dhe teknik, në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si energjia, ujësjellës-kanalizime, mjedisi, menaxhimi i burimeve ujore, arsimimi, ka qenë thelbësor për krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, mbështetjen e kategorive në nevojë dhe me impakt të drejtpërdrejtë dhe të ndjeshëm në ekonomi.

Mbështetja në sektorin e energjisë, për ndërtimin e disa linjave të interkonjeksionit, si ajo me Kosovën apo Maqedoninë e Veriut,  ka fuqizuar këtë sektor strategjik duke mundësuar krijimin e një tregu të integruar.

Gjermania është ndër investitorët më të mëdhenj të huaj, me 338 kompani që operojnë në vendin tonë.

Vetëm në vitin 2021 shkëmbimet tregtare Shqipëri-Gjermani kanë arritur vlerën e 450 milionë eurove dhe Gjermania është partneri i katërt tregtar për Shqipërinë.

Presidenti Steinmeier u takua edhe me kryeministrin Rama, të cilin e përgëzoi për fillimin e negociatave duke theksoi se “Europa duhet të jetë e hapur për zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor”.

Rama tha se “mbështetja e Gjermanisë në të gjitha frontet ka qenë thelbësore”.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shoqëroi Steinmeier në vendosjen e një kurore me lule në memorialin e Dëshmorëve të Kombit “Nënë Shqipëri”.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, presidenti Steinmeier do të vizitojë edhe qytetin muze të Beratit për t’’u njohur me historinë dhe kulturën shqiptare./ (1 dhjetor)

Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.