Nën logon “New Europe in a new world” samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian mblodhi në Tiranë kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende europiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.

Pas ceremonisë së mikpritjes dhe fotos familjare, liderët evropianë u drejtuan në “Shtëpinë e Europës” të ndërtuar enkas në sheshin “Skënderbej”, dhe të zbukuruar me vizatimet e fëmijëve të Shqipërisë, e cila u kthye në simbolin e bashkimit për “një Europë të re në një botë re”.

Seanca plenare u fokusua në sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës, duke adresuar të dyja imperativat imediate – siç është mbështetja e Ukrainës në përpjekjen e saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme – dhe sfidat afatgjata, duke përfshirë mbrojtjen e proceseve demokratike nga ndërhyrja e huaj dhe forcimin e aftësive të mbrojtjes kolektive të Evropës.

Kryeministri Rama drejtoi punimet e seancës plenare, ku fillimisht u drejtua me një fjalë përshëndetëse.

Kreu i qeverisë shqiptare e vuri theksin tek euro-optimizmi i një rajoni që i ka mbijetuar kolapsit ekonomik, migracionit, zhvendosjes, mbijetuar lajmeve të rreme edhe përpara se sa të krijohej ky term dhe që ka mësuar se bashkëpunimi nuk ka humbës.

“Pse mos të imagjinojmë një KPE të arsimit, të shkencës, e të inteligjencës artificiale? Një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit, një terren burimesh të ndërlidhura dijeje, kërkimi shkencor, novacioni, ku territoret që nuk janë anëtare të BE-së apo ende jo anëtare të BE-së mund të bëhen kufi të ri investimi pa burokraci, pa rregullime e barra fiskale”, propozoi Rama.

Më pas, fjalimet u përqendruan tek situata e konfliktit në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se është e qartë se “presidenti Zelensky është i gatshëm për takim, por presidenti Putin nuk u paraqit kurrë, dhe kjo tregon qëndrimin e tij të vërtetë. Prandaj, ne do ta rrisim presionin”, duke iu referuar bisedimeve në Stamboll.

Von der Leyen tha se BE-ja po përgatit një paketë të re sanksionesh. Ajo deklaroi se masat do të synojnë flotën në hije të anijeve të vjetra të mallrave që Rusia po përdor për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, si dhe konsorciumin e gazsjellësit Nord Stream. (17 maj)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.