Bashkimi Evropian vazhdon mbështetjen për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, duke vënë theksin tek fakti që kjo reformë së bashku me vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve synon rikthimin e besimit të publikut tek gjyqësori dhe institucionet e tij.

I pranishëm në tryezën e diskutimeve rreth trashëgimisë së sistemit të vetingut të vendosur nga reforma në drejtësi e vitit 2016, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato deklaroi BE ka mbështetur që në fillim procesin e vetingut dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në përfundimin e tij.

Tryeza u organizua në Tiranë nga Ambasada e Holandës dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

“Besimi eshtë një bindje që duhet të ushqehet vazhdimisht. Ai nuk mund të konsiderohet i dhënë. Kjo do të thotë se, ndërkohë që reforma në drejtësi është e pakthyeshme, zbatimi i saj kërkon vëmendjen dhe mbështetjen tonë të qëndrueshme. Sigurimi i pavarësisë dhe integritetit të gjyqtarëve është një detyrë dhe një përpjekje e përhershme,” tha Gonzato.

Ambasadori i BE-së Gonzato u shpreh se “përgjegjësia dhe pavarësia janë në zemër të çdo shoqërie demokratike të qeverisur nga shteti i së drejtës”.

Procesi i vetingut në Shqipëri, në kuadër të Reformës në Drejtësi nisi në 8 shkurt 2018 dhe përfundoi nëntorin e vitit të kaluar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në përfundim të procesit informoi se gjatë kësaj kohe janë marrë gjithsej 805 vendime nga të cilat 373 konfirmime në detyrë për 165 gjyqtarë, 167 prokurorë, 2 ish- inspektorë në KLD, 2 inspektorë në KLGJ dhe 37 ndihmës dhe këshilltarë ligjorë.

Bazuar në tre kriteret rivlerësimit, kriteri profesional, pasurinë dhe pastërtinë e figurës si shtyllat e këtij procesi, KPK ka marrë 268 vendime për shkarkimin nga detyra të 146 gjyqtarëve, 1 ish-gjyqtareje në Gjykatën e Lartë, 116 prokurorëve, 1 inspektori në KLGJ dhe 4 ndihmësve ligjorë.

Vetingu vijoi përgjatë 6 viteve në monitorimin e ndërkombëtarëve dhe me përfundimin e rivlerësimit në KPK, Vetingu do të vazhdojë në shkallën e dytë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) anëtarët e të cilës kanë një mandat 9-vjeçar deri në fund të vitit 2026. (5 mars)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.