Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos po zhvillon një vizitë në Tiranë ndërsa takimin e parë e pati me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me të cilin doli edhe në një konferencë për mediet.
Komisionerja Kos u shpreh gjatë konferencës se rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE është i sigurtë dhe i vërtetë.
“Më pëlqen që jeni kaq pasionant për vendin tuaj por edhe për BE-në”, u shpreh Kos duke iu drejtuar Kryeministrit Rama. “Erdha këtu për t’ju treguar mbështetjen time të plotë për objektivat tuaj kaq ambiciozë për të cilat më ka treguar ekipi im dhe që janë objektiva realiste dhe jo thjesht, ambiciozë”, u shpreh Kos.
“Ju thoni që dëshironi të mbyllni negociatat deri në fund të 2027 dhe ne po ecim në rrugën e duhur sepse janë hapur tashmë edhe grup-kapitujt 2,3”, tha Kos.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e grup-kapitujve, por edhe për mbylljen e tyre. Jam e sigurt se me të gjithë reformat që ju po kryeni kjo do të jetë e mundur. Me shumë dëshirë, duam që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, ju e meritoni sepse me ju brenda BE, Evropa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por dhe më e fortë”, tha komisionerja.
Kos vlerësoi si të rëndësishme edhe faktin që Shqipëria ka marrëdhënie të fqinjësisë së mirë në rajon, duke e cilësuar kampione për bashkëpunimin rajonal.
Më tej ajo u ndal tek zbatimi i reformave. “Fokusi duhet të jetë zbatimi i reformave, të cilat janë miratuar, por edhe tek përshpejtimi i konfirmimit të të gjithë reformave të tjera dhe në mënyrë të veçantë tek reforma në drejtësi, të cilën e mbështes vetë sepse është edhe gur themeli i procesit të integrimit evropian”, u shpreh Kos.
Komisionerja vuri në dukje se procesi i anëtarësimit në BE duhet të jetë një projekt i gjithë shoqërisë shqiptare, që qytetarët ta kuptojnë pse është i rëndësishëm ky proces dhe pse Shqipëria do të bëhet shtet anëtar.
“Së shpejti do të kemi një sondazh si po ecën zgjerimi, cili është perceptimi për zgjerimin në Shqipëri dhe në bazë të gjetjeve do të ndërtojmë një fushatë. Shpresoj që të vijnë sa më shumë gazetarë evropianë në Shqipëri për ta parë atë nga afër, për të parë se çfarë ndodh këtu, jetën në Shqipëri”, tha Kos.
Nga ana e tij, Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se Shqipëria është shumë e vendosur që ta përmbushë me sukses objektivin shumë ambicioz të përfundimit të negociatave brenda 2027-ës.
“Takohemi në një moment kur ne kemi arsye të jemi krenarë për çfarë kemi bërë, ju keni arsye për të na mbështetur pa rezervë, por dua ta theksoj, ne nuk e marrim mbështetjen tuaj si diçka të dhënë një herë e mirë, por si diçka që duhet fituar çdo ditë”, u shpreh Rama.
Më pas, Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos i dhuroi Kryeministrit Edi Rama një fanellë basketbolli me numrin 11, ku ishte i stampuar edhe flamuri i BE-së.
“Aty thuhet skuadra Evropë, duam që e Shqipëria të bëhet pjesë e Evropës. Ky është numri im me fat, prandaj ju dhamë edhe numrin 11 në ekipin tonë”, tha Kos.
Komisionerja Kos u shpreh se ajo vetë nuk luan basketboll, por kur të përfundojë procesi i negociatave do të ngjitet në malin më të lartë të Shqipërisë, Korabin që është 2764 m, vetëm 100 m më pak se mali më i lartë në Slloveni. “Por do të doja shumë të vinit me mua”, i tha ajo Kryeministrit Rama, duke marrë edhe batutën e tij se “kur të hyjmë në BE do t’ju jap një kryeministër të ri e të freskët që të ngjitet me ju deri në majën më të lartë”.
Gjatë vizitës në Shqipëri, Komisionerja Kos do të angazhohet gjithashtu me institucionet e pavarura shqiptare të drejtësisë, deputetë, duke përfshirë përfaqësues nga opozita, si dhe me organizata të shoqërisë civile.
Si pjesë e misionit të saj, Komisionerja Kos do të vizitojë tre projekte të financuara nga BE në Elbasan, ku do të angazhohet me sipërmarrje sociale të mbështetura nga asetet e konfiskuara nga krimi i organizuar, do të angazhohet me gra viktima të dhunës me bazë gjinore dhe shkëmbime me studentë të rinj që marrin pjesë në programin e shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor, i cili mbështet pajtimin dhe mësimin ndërkulturor dhe dialogun. (13 mars)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.