Dyfishim i numrit të turistëve
Numri i shtetasve të huaj që hynë në territorin shqiptar gjatë muajit janar, shënoi rritje gati dyfish, duke arritur në 377 211.
Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave i Shqipërisë (INSTAT), ky numër është rritur 94,2%, krahasuar me janarin e vitit 2022.
Në janar 2023, nga vendet evropiane u shënua numri më i lartë i hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri, konkretisht 366 257 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht 7 051 dhe 1 308 shtetas.
Gjithsej, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që hynë në territorin shqiptar, për muajin janar 20203 arriti në 833 450. Ky tregues rezulton me një rritje prej 83,6 %, krahasuar me janarin 2022.
Ndërsa numri daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit janar 2023, është 954 933, duke shënuar një rritje me 57,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ (24 shkurt)
Mbi 7 milionë turistë gjatë 2022-it
Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se 7,5 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2022, duke i besuar vendit të vogël ballkanik pushimet e tyre, jo vetëm gjatë sezonit veror.
Janë 1,9 milionë turistë më shumë se viti 2021 dhe 18% më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin.
Po ashtu, raporti jep të dhëna interesante të tregjeve të reja që po rriten me shpejtësi. 85% më shumë vizitorë nga Anglia; 3,7 herë më shumë vizitorë nga Spanja; dy herë më shumë vizitorë nga Sllovenia; tri herë më shumë vizitorë nga Holanda; 84% më shumë vizitorë nga Turqia; dy herë më shumë nga vendet nordike; pa harruar edhe mysafirët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe hyrjet nga vendet e tjera të Ballkanit.
Edhe muaji i fundit i vitit 2022 shënoi rritje të numrit të turistëve me 11,1% në krahasim me dhjetorin e 2021-shit, ndërsa kryesonin turistët nga Italia dhe Kosova.
Në raportin e INSTAT mbi strukturat e akomodimit për muajin dhjetor të vitit që lamë pas, evidentohet se 9,1% e vizitorëve jorezident ishin italianë, vizitorët gjermanë jorezidentë llogariten 2,1% të totalit të vizitorëve, ndërsa ata nga Anglia 1,9%./ (25 shkurt)
Emrat më të mëdhenj të hotelerisë në Tiranë
Industria e turizmit në Tiranë po kalon ditët më të mira, ku mbi katër milion turistëve vizituan vitin e kaluar kryeqytetin.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thekson se ky fluks turistësh erdhi falë investimeve të tetë viteve të fundit dhe qasjes për të pasur një qytet të pastër, mikpritës dhe me kushtet e nevojshme të hotelerisë.
Ai thekson se Tirana është kthyer në një qytet që gëlon nga turistët, thuajse në çdo muaj të vitit kalendarik, nga festat e dhjetorit, gjatë verës, e deri në fund të vitit.
Veliaj ka nënvizuar se nga viti 2015-2016, kur Tirana regjistronte jo më shumë se 100 mijë turistë në vit, tetë vjet më pas shifra e tyre të shkojë në 4,5 milionë.
“Përqasja jonë për të zhvilluar turizmin ka qenë e trefishtë, e para të ruajmë identitetin historik, e dyta, t’i japim jetë ndërtesave dhe hapësirave historike dhe e treta të investojmë për shekullin e dytë të Tiranës si kryeqytet”, tha Veliaj.
Ai përmendi disa nga projektet e mëdha që e kthyen Tiranën në kryeqendër të rajonit dhe një pol turistik që nga sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Kalaja, Sarajet e Toptanasve, shtëpia e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, ajo e Dritëro Agollit, që gjithashtu janë blerë nga Bashkia, Bunk’Art, Shtëpia me Gjethe apo edhe stadiumi “Arena Kombëtare”.
“Sot kemi edhe hotelet me emrat më të mëdhenj të botës, që po instalohen ose janë instaluar në Tiranë si Hilton, Hayat, Melia, Marriot, Maritim Plaza, InterContinental, që jo vetëm e kanë plotësuar mungesën e shtretërve të Tiranës, por kanë sjellë edhe punësim”, nënvizoi Veliaj./ (27 shkurt)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.