Mbi 6 000 ushtarakë përfitojnë rritje page

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, rritjen e pagës për të gjithë ushtarakët.

Pas mbledhje së qeverisë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha në një prononcim për median se u vendos rritja në masën 7% të pagës bazë, sipas gradës dhe viteve të shërbimit për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura.

Kjo shënon një tjetër rritje të pagave të ushtarakëve, të cilët edhe një vit më parë morën një tjetër shtesë page për të gjitha kategoritë.

Nga ky vendim i fundit i Këshillit të Ministrave përfitojnë 6 654 ushtarakë.

Vendimi hyn menjëherë në fuqi, nga data 1 mars, për të gjithë ushtarakët, nga ushtari bazë dhe deri te gradat më të larta.

“Rritja e pagave nuk është një fenomen spontan, por tashmë është duke u bërë i përvitshëm’’, tha Peleshi.

Ai theksoi se qëllimi është që paga për ushtarakët të arrijë mesataren e vendeve aleatë në NATO.

Peleshi theksoi se niveli i pagave sot, në krahasim me një vit më parë, është 40% më i lartë.

“Niveli mesatar gjatë pagave me këtë vendim është 870 000 lekë, sepse vitin e kaluar kemi bërë rritjen historike të pagave prej 30%. Ky 7% natyrisht aplikohet mbi atë 30% dhe nëse krahasohet sot me një vit më parë, sot paga është 40% më e lartë”, tha ai./ (1 mars)

Ministia e Mbrojtjes nis fushatën e rekrutimeve, 400 vende pune të lira në Forcat e Armatosura

Ministria e Mbrojtjes ka nisur fushatën e rekrutimeve për 400 pozicione të lira pranë FA si ushtar apo detar aktiv. Kjo thirrje është e hapur për të gjithë të rinjtë e moshave 18-27 vjeç me arsim 9-vjeçar, të mesëm apo të lartë.

Ndër përfitimet që marrin të gjithë ata që zgjedhin të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura janë puna e garantuar në FARSH dhe mundësi për karrierë të sukseshme, të ardhura mujore dinjitoze, shërbim shëndetësor për vete dhe familjarët dhe mundësi kurimi të specializuar brenda dhe jashtë vendit, sigurim shoqëror dhe përfitime suplementare pas përfundimit të karrierës, mundësi arsimimi dhe kualifikimi ushtarak brenda dhe jashtë vendit, pa pagesë, përparim në gradë dhe karrierë, përgatitje fizike sipas standardeve të NATO-s dhe angazhim në misione paqeruajtëse në kuadrin e NATO-s, OKB, BE me përfitime financiare të konsiderueshme.

Po ashtu, për çdo të ri që bëhet pjesë e FA, ofrohen trajnime dhe stërvitje jashtë vendit së bashku me kolegë të tjerë të NATO-s dhe SHBA, lehtësira për qira banese, transfertë bashkëshorti/e, trajtim me ushqim, pagesë transporti dhe kredi me norma të lehtësuara për banesën e parë./ (2 mars)

Pagë edhe për studentët ushtarakë në Akademinë e Forcave të Armatosura

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi se “Këshilli i Ministrave miratoi pagë 55 000 lekë për të gjithë studentët ushtarakë në Akademinë e Forcave të Armatosura”.

Peleshi është shprehur se “nëse jeni 18 vjeç dhe jeni rekrutuar në Forcat e Armatosura apo jeni pranuar si student ushtarak në Akademinë e Forcave të Armatosura menjëherë fillon pagesa prej 55 000 lekë, plus 10 000 lekë trajtimi ushqimor”.

Ministri ka nënvizuar se në ndryshim nga studentët e tjerë, studentët e Forcave të Armatosura jo vetëm që nuk paguajnë, por paguhen me një pagë që është sa paga e një ushtari bazë.

Me rritjen e fundit të pagave, një oficer i titulluar ushtarak (grada e parë për ushtarakët oficerë të titulluar Nën Toger) pas kryerjes së studimeve në Akademinë e Forcave të Armatosura merr një pagë mbi 77 000 lekë, pa përfshirë shtesat mbi pagë për kompensim ushqimor, shtesat për natyra të veçanta apo trajtimin me uniformë ushtarake apo sportive e tjerë./ (2 mars)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.