Wi-Fi falas në sheshet, parqet apo shkollat e qytetit. Këto janë avantazhet që propozon programi WiFi4WB, një nismë që sjell pika Wi-Fi falas për komunitetin.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi se bashkitë shqiptare mund të aplikojnë për të përfituar nga ky program që sjell: pajisje dhe instalim të mbuluara, internet falas në hapësira publike, mbështetje për mirëmbajtje dhe funksionim të vazhdueshëm.

Kjo iniciativë është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që mbështet transformimin digjital dhe fuqizon komunitetet lokale.

Nisma është pjesë e projektit EU4Digital, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe nga qeveria gjermane dhe e zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).

WiFi4WB parashikon hotspote publike falas në më shumë se 500 bashki në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke vijuar në suksesin e arritur nga programi i BE WiFi4EU nga i cili u alokuan 130 milionë euro për të ngritur rrjete publike internet wireless në pothuajse 9 mijë bashki të Bashkimit Evropian.

Pikat e aksesimit Wi-Fi do të instalohen në hapësira publike si sheshe, parqe, library, muzeume dhe shkolla duke krijuar furnizim falas dhe të qëndrueshëm për banorët dhe vizitorët.

Nisma përfaqëson hap të rëndësishëm drejt rritjes së konektivitetit në rajon.

Thirrja është e hapur për aplikime nga Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. (2 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.