Shqipëria partnere e besueshme e BE-së
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi zhvilluan të enjten një vizitë zyrtare në Tiranën.
Përpara nisjes së punimeve të Këshillit të 12-të të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, zyrtarët e lartë të BE-së u pritën nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.
Borrell do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kullës Veneciane në Durrës, restaurimi i së cilës është financuar nga BE-ja si dhe do të zhvillojë një bisedë me përfaqësues të rinisë.
Në konferencën e parbashkët për median pas mbledhjes së Këshillit me kryeministrin Rama dhe komisionerin Varhelyi, Borrell theksoi se Shqipëria ka bërë progres për anëtarësimin në BE.
Zhvillimi në Tiranë dhe jo në Bruksel i Këshillit të 12-të të Stabilizim-Asociimit, sipas Borrell, është sinjal i fuqishëm për angazhimin e BE për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
“Mesazhi kryesor nga kjo mbledhje është angazhimi ynë i patundur për integrimin evropian të Shqipërisë”, theksoi ai.
Borrell vlerësoi se Shqipëria ka treguar pjekuri në të gjitha reformat, sidomos në drejtësi e cila ka ecur përpara.
Gjatë konferencës, Borrell tha se Shqipëria ka treguar frymën e vërtetë europiane, duke vepruar plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të BE.
Sipas tij, “kjo ka treguar cilësinë e Shqipërisë si një partner i besueshëm i sigurisë dhe e bën Shqipërinë një shenjë të veprimeve agresore nga jashtë dhe ne prandaj do vazhdojmë mbështetjen e Shqipërisë”./ (16 mars)
Reforma në Drejtësi po godet individë me pushtet
Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën e përbashkët për mediet me dy zyrtarët e BE-së, Borrell dhe Varhelyi, se reforma në drejtësi po godet persona të lidhur me pushtetin.
Ai deklaroi se qeveria dhe Partia Socialiste nuk ofrojnë shërbime avokatie për askënd.
“Drejtësia në Shqipëri, institucionet e reja, SPAK po godet njerëz të lidhur me pushtetin apo jo, siç nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendi dhe po tregon që koha e të paprekshmëve dhe koha e të stehuarve në ombrellën e pushtetit ka mbaruar”, deklaroi shefi i qeverisë shqiptare.
Ai shprehu angazhimin për të hyrë në një fazë të re më prokurimet publike ndërsa bëri me dije se po përgatisin një reformë që do përmbysë sistemin e prokurimeve publike.
“Heqja e prokurimeve nga duart e institucioneve është objektivi ynë dhe për këtë po bashkëpunojmë me agjencinë e OKB me të cilët do paraqesim një platformë që do transformojë prokurimet publike dhe nuk do ketë zyrtarë të lartë që do kenë lidhje me prokurimet publike”, tha Rama.
Për sa i përket integrimit, kryeministri nënvizoi se “Shqipëria sot nuk është më në fund të trenit të integrimit, por është në krye në këtë rajon ku roli ynë vlerësohet si model në aspektin e promovimit të paqes”.
Në konferencë, Rama foli edhe për marrëveshjen e ofruar nga BE për Kosovën e Serbinë, duke e konsideruar një dokument domethënës.
Ai shprehu besimin se asnjëra palë nuk do t’ia lejojnë vetes të mos e përqafojnë plotësisht dokumentin dhe programin e implementimit të tij./ (16 mars)
BE financon Kolegjin e Evropës në Tiranë
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE Oliver Varhelyi, në kuadër të mbledhjes së dymbëdhjetë midis BE-së dhe Shqipërisë për Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit, është shprehur se Ballkani Perëndimor mund të shndërrohet në pikën e re hyrëse të energjisë për Evropën.
Varhelyi ka deklaruar se Shqipëria do të jetë e para që do të realizojë një terminal të gazit të lëngshëm natyror.
“Po diskutojmë të sjellim më shumë gaz, me ndërtimin e asaj hallke që mungon. Diskutuam edhe temat, terminali i gazit të lëngshëm për Ballkanin sepse kjo është përpjekje madhore që duhet të realizohet. Do të nisë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të rritet më shpejt, edhe më shpejt se BE sepse ka potencial të jashtëzakonshëm”, deklaroi Komisioneri evropian.
Gjatë fjalës së tij, ai është shprehur i lumtur që është arritur të gjenden financime për Kampsin e Kolegjit të Evropës në Tiranë teksa ka shtuar se procesi i pranimeve do të nisë në Shtator të këtij viti.
Ai theksoi se garantimi i fondit është një sinjal i fortë se anëtarësimi i Shqipërisë është afër.
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE, deklaroi se dëshira e tyre është që rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë pjesë e Bashkimit Europian sa më shpejt./ (16 mars)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.