Forumi Ndërkombëtar “FESTA” për herë të parë në Ballkan
Forumi Ndërkombëtar i Turizmit, për herë të parë në Ballkan, u çel të hënën në Tiranë me pjesëmarrës nga 38 vende të botës si pjesë e një platforme diskutimi treditor për një sërë diskutimesh mes politikëbërësve, sipërmarrësve, operatorëve turistike dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në formësimin e një industrie kaq të rëndësishme, siç është ajo e mikpritjes.
Më shumë se 300 pjesëmarrës iu bashkuan forumit ndërkombëtar “FESTA – e ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri” organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit.
Në çeljen e forumit ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, sekretari i përgjithshëm i UNWTO, Zurab Pololikashvili, zëvendëspresidenti ekzekutiv i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, ministra të turizmit nga më shumë se 10 vende, investitorë, drejtues kompanish, drejtues të agjencive të turizmit e tjerë.
Në këtë event ishin të pranishëm zyrtarëve të lartë të politikës nga Ballkani dhe Evropa, agjencive dhe përfaqësuesve të industrive që operojnë në sektorin e udhëtimit dhe turizmit
Forumi nisi me një ceremoni zyrtare të hapjes mbajtur nga Bettany Hughes, historiane, autore dhe një prej figurave televizive më të njohura në Britaninë e Madhe.
Gjatë tre ditëve të forumit, 70 folës të ndarë në shtatë panele tematike diskutuan tema të rëndësishme lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, brandimi, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori./ (3 prill)
Vizë të përbashkët turistike për Ballkanin Perëndimor
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili propozoi nga Tirana që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një vizë të përbashkët turistike.
Gjatë fjalës së tij në Forumin ndërkombëtar “E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri”, Pololikashvili theksoi se të gjithë së bashku duhet të krijojnë një destinacion turistik me emrin “Vizitoni Ballkanin”.
“Të gjithë së bashku, bashkë me Shqipërinë, duhet të krijojmë një destinacion turistik me emrin “Vizitoni Ballkanin”. Dhe duam që brenda 4-5 ditësh të vizitojnë 4-5 shtete. Së dyti është politika e vizave që të kemi një vizë, që turisti të ketë mundësin që të vizitojë këto 4-5 shtete”, deklaroi ai.
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro e vlerësoi këtë ide duke shtuar se në këtë mënyrë mund të mbahen turistët më gjatë në Ballkan.
“Ne nuk e shohim njëri-tjetrin si konkurrent, kjo është qasja jonë, por e shohim si plotësues të një tregu që ta mbajë më gjatë turistin që vjen nga destinacionet e largëta në Ballkan”, deklaroi Kumbaro./ (3 prill)
Shqipëria kandidon për Këshillin Ekzekutiv të UNWTO
Zëvendëspresidenti ekzekutiv i Komisionit Evropian, Frans Timmermans është shprehur se Shqipëria në një të ardhme të afër do të bëhet anëtare e BE.
“Vendi ku jemi sot ka disa nga plazhet më të mira. Keni mundësi të bëni zgjedhje të reja. Keni disa prej maleve më të bukura që keni parë ndonjëherë”, vlerësoi Timmermans potencialet turistike tëq vendit tonë.
Ai theksoi se Shqipëria mund të jeni vendi më i ndërgjegjshëm ndaj turizmit dhe të tërheqë markë të re turistësh ndërs ashprehur angazhimin e Komisionit Evropian për bashkëpunim në këtë fushë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është një vend ku mikpritja është religjion dhe ku ka siguri në rrugë për banorët dhe për vizitorët më shumë sesa në shumë zona të zhvilluara të vendeve më të zhvilluara të Europës.
“Bujaria dhe mikpritja e mysafirit është gjenetike te shqiptarët, dhe për pasojë është ADN-ja e turizmit shqiptar”, u shpreh ministrja Kumbaro e cila bëri me dije kandidimin e Shqipërisë si anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Organizatës Botërore të Turizmit.
Kumbaro përmendi suksesin e vitit që shkoi, kur Shqipëria u cilësua nga Organizata Botërore e Turizmit si vendi me performancën më të mirë të rekuperimit pas Covid-19, duke dhënë lajmin se në 3 muajt e parë të këtij viti, Shqipëria ka pritur 59 % më shumë vizitorë të huaj krahasuar me një vit më parë./ (4 prill)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.