Muzikali i famshëm mbush stadiumin “Air Albania”

Muzikali i rekordeve botërore “Notre-Dame de Paris” është ngjitur më 28 maj në një nga skenat më të mëdha në vend, atë të stadiumit “Air Albania” në Tiranë.

Kjo është hera e parë që ky muzikal shfaqet në Tiranë duke dhuruar emocionel te artdashësit shqiptarë që kishin mbushur shkallët e stadiumit.

Çdo element i shfaqjes, muzika, koreografia, skenografia, regjia, këngëtarët, balerinët, ndriçimi ishin perfekt.

I shfaqur për herë të parë në Paris, në vitin 1998, muzikali francez i kompozitorit të njohur italian, Riccardo Cocciante dhe tekstshkrues Luc Plamondon u luajt nga një trupë ndërkombëtare, ndërsa roli i Esmeraldës u interpretua nga Elhaida Dani.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti trupën pjesëmarrëse në këtë shfaqje, që e futi Tiranën në turneun e saj botëror./ (28 maj)

Elhaida Dani apo “Esmeralda” shqiptare në skenat e botës

Producenti Nicolas Talar u shpreh entuziast që “Notre-Dame de Paris”  u ngjit në skenën e stadiumit “Air Albania”, që është i krahasueshëm me Arenën e Veronës.

Cocciante tha se “Shqipëria e meriton këtë spektakël të jashtëzakonshëm”.

Këngëtarja Elhaida Dani falënderoi të gjithë ata që bënë të mundur një event të tillë si edhe publikun shqiptar për mikpritjen.

Në rolin e Claude Frollo dhe njëkohësisht si asistent regjisor i shfaqjes, Robert Marien u shpreh se “është hera e parë që e luajmë ‘Notre Dame de Paris’ në një skenë kaq të madhe”.

Prej vitit 2016, Elhaida Dani dhe “Notre-Dame de Paris” po udhëtojnë anekënd botës duke e prezantuar atë në Francë, Liban, Rusi, Tajvan, Kanada e tjerë./ (29 maj)

“Shqipëria mikpret botën”

Me moton “Shqipëria mikpret botën”, Tirana është kthyer në kryeqytetin edhe të aktiviteteve kulturore ndërkombëtare në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare që kanë nisur që prej 20 majit me aktivitetet kulturore të Greqisë.

Ndryshe nga viti i kaluar, në të cilin ishin pjesëmarrës 18 shtete, këtë vit do të jenë prezente 20 vende të ndryshme.

Holanda, Mali i Zi dhe Azerbajxhani vijnë për herë të parë në edicionin e dytë të këtij eventi të madh kulturor.

E konceptuar si një mozaik aktivitetesh kulturore, çdo javë do t’i dedikohet një shteti, ku në fokus do të jenë promovimi i vlerave dhe shkëmbimi i eksperiencave.

Nëpërmjet këtij organizimi synohet njohja dhe forcimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Mbi 700 artistë do të bëhen pjesë e programit, ku ndër ta do të jenë dhe emra të njohur të arenës ndërkombëtare.

Edicioni i dytë i këtij viti përfundon më 30 nëntor 2023./ (1 qershor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.