Forcim i bashkëpunimit Shqipëri-Hungari

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mikpriti të enjten në një vizitë shtetërore presidenten e Hungarisë, Katalin Novak.

Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes në Presidencë, delegacionet zhvilluan një takim ku u fokusuan tek bashkëpunimi dypalësh, procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por edhe te zhvillimet aktuale në rajon. 

Në konferencën për mediet, Bega i shprehu presidentes Novak keqardhjen për ushtarët hungarezë të lënduar përpara dy ditësh në veri të Kosovës nga protestues serbë, të keqpërdorur për të provokuar tension dhe që vënë në pikëpyetje marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. 

Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira, historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve.

Ai vuri në dukje se Hungaria e ka mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar integrimin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. 

Begaj nënvizoi rëndësinë gjeopolitike që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kushtet e reja gjeopolitike, ku aktorë keqdashës, kërkojnë destabilizimin e tij. 

Ai u ndal tek rëndësia që ka mbështetja e dialogut Kosovë-Serbi si dhe përkrahja e Prishtinës  për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës. 

Hungaria është prezente në rajon me investime, por edhe me mbështetje politike dhe teknike, e realizuar kjo edhe në kuadër të bashkëpunimit me Grupin e Vishegradit./ (1 qershor)

Paqja në Ballkan me rëndësi për sigurinë e BE-së

Gjatë konferencës së përbashkët për mediet, Begaj dhe Novak u ndalën te zhvillimet më të fundit në veri të Kosovës duke dënuar dhunën ndaj medias dhe KFOR-it.

Begaj tha se duhet maturi për çtensionimin e situatës pasi ngjarje të tilla nuk janë në shërbim të askujt dhe pengojnë proceset integruese të rajonit në Bashkimin Europian.

“Keqpërdorimi i popullatës serbe në veri të Kosovës dhe dhuna e ushtruar ndaj KFOR dhe medias është e pajustifikueshme. Asnjë pretekst nuk mund të nxirret për të justifikuar asnjë nga palët për moszbatimin e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe anekseve në Ohër”, tha ai.

Ndërsa presidentja Novak bëri apel për dialog për qetësimin e situatës.

Ajo theksoi se “paqja në Ballkan është e rëndësishme për sigurinë e BE”.

Sipas saj, diplomacia dhe dialogu duhet të udhëheqin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

 “Kemi mbi 400 trupa në Kosovë në KFOR. Shpresojmë që situata të qetësohet sa më shpejt dhe të gjendet rruga drejt një paqeje afatgjatë”, u shpreh Novak./ (1 qershor)

Novak përshëndet parlamentin shqiptar

Presidentja e Republikës së Hungarisë, Katalin Novak i është drejtuar me një fjalim përshëndetës Kuvendit të Shqipërisë.

Novak deklaroi se “duam që Shqipëria të jetë zyrtarisht pjesë e Evropës, ne kemi nevojë për Shqipërinë në Bashkimin Evropian”.

Ajo vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve duke theksuar se shqiptarët dhe hungarezët e kuptojnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin.

Novak u shpreh se integrimi evropian do çojë drejt paqes dhe stabilitetit në të gjithë Evropën.

“Paqja dhe siguria e Evropës varen edhe nga Ballkani Perëndimor, prandaj kemi nevojë sa më shpejt për integrimin evropian”, theksoi ajo./ (1 qershor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.