Unifikim doganor paralelisht me integrimin në Bashkimin Evropian
Një pikë tjetër kufitare e përbashkët u hap sot në Qafë Thanë, 130 kilometra në juglindje të Tiranës, ku hyri në fuqi programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”, që lehtëson qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuara.
Pika e Qafë Thanës vjen në vijim të përvojës së suksesshme me pikat e tjera kufitare të përbashkëta, siç është ajo e Murriqanit dhe pika kufitare e Morinës. Ky projekt synon përmirësimin e infrastrukturës dhe thjeshtimin e procedurave të kontrollit përmes sistemit One Stop Shop.
Në aktivitetin e mbajtur të hënën ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ai maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Rama e konsideroi këtë hap një moment të rëndësishëm pasi jo vetëm lehtësohet qarkullimi i mallrave dhe qytetarëve, por i hapet rrugë e mëtejshme zhvillimeve tregtare dhe të turizmit.
Sipas tij, liberalizimi i lëvizjes sjell jo vetëm më shumë lehtësi, por edhe më shumë transparencë e më pak rrezik për praktika të këqija në trajtimin e qytetarëve dhe subjekteve tregtare.
Rama ka deklaruar se qëllimi final është unfikimi i doganave që do të vijë me integrimin e plotë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Rama është ndalur edhe te projektet të cilat lidhin vendet e rajonit si Korridori VIII, një ëndërr shumë e vjetër të cilës, sipas tij, i ka ardhur dita që të realizohet.
Ai bëri me dije se në të dy anët e kufirit po punohet për hapjen e Korridorit VIII.
“Kemi bërë shumë përpjekje për rizgjimin e këtij projekti si pjesë e një të shkuare të ish-rrugës Egnatia dhe si pjesë e rrjetit evropian të infrastrukturës. Kjo na jep një tjetër energji pozitive dhe një tjetër burim mbështetje nga BE”, deklaroi Rama./ (31 korrik)
Ballkan pa kufij
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, I pranishëm në ceremoninë e organizuar në kalimin kufitar të Qafë Thanës deklaroi se të dy vendet shënojmë fillimin e “Një ndalesë – Një kontroll”, punë e dy ministrive të Brendshme dhe doganave.
Ai theksoi se mundësimi i qarkullimit të njerëzve dhe kapitalit i rrit lidhjet mes njerëzve, rrit shoqërimin mes dy shteteve diçka që gjysmë shekulli mungonte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së asaj kohe.
Sipas tij, ky është shembull si duhet të sillen dy vende fqinje.
Ai nënvizoi se me këtë marrëveshje lehtësohet puna e 11 kompanive me orientim të eksportit dhe tregtisë me vende të tjera dhe qasje më të lehtë me portet e Shqipërisë, por edhe me vendet e turistike të Shqipërisë dhe Republikës Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kovaçevski u ndal edhe te Korridori VIII në anën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili për pesë vite do të bëhet realitet duke shtuar se “për pesë vite do të kemi infrastrukturën më të mirë në Ballkan”.
“Së bashku me Shqipërinë, Bullgarinë, Italinë arritëm që Korridorin VIII ta vendosim në hartën e korridoreve transevropiane”, nënvizoi kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski vuri në dukje se “në Ballkan nuk duhen më kufij. Kufij nuk ka as në Evropë, nuk ka pse të ketë edhe në Ballkan”./ (31 korrik)
Mbështetje nga Bashkimi Evropian për Korridorin VIII
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në ceremoninë e hyrjes në fuqi të programit të ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll” në pikën kufitare të Qafë Thanës risolli në vëmëndje senjë nga prioritetet kryesore të qeverisë, duke nisur nga vitit 2013, ka qenë lehtësimi i të gjitha procedurave kufitare për të lehtësuar kështu kalimin e qytetarëve dhe sidomos të tregtisë dhe të mallrave.
Sipas saj, ky projekt është dëshmia e radhës e vullnetit dhe dëshirës së mirë që ekziston midis dy dhe që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe thjeshtimin e procedurave të kontrollit nëpërmjet një sistemi “one stop shop”.
Në kuadër të Projektit “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor” të Bankës Botërore është realizuar projektimi dhe mbikëqyrja e infrastrukturës dhe përmirësim i pajisjeve në koordinim me homologët e Maqedonisë së Veriut.
Balluku tha se “nga pala shqiptare ka nisur prej kohësh puna për Korrridorin VIII dhe ndodhemi në lotin e dytë dhe shpresojmë që brenda vitit 2024 dy lotet e para nga Elbasani në Qafë Thanë të dorëzohen për të hapur gjatë shtatorit të këtij viti dy lote të reja, atë 3 dhe 4 që do të vijnë deri në pikën e lidhjes”.
Sipas saj, me Korridorin VIII synimi është që të ngrihet një rrjet hekurudhor model, i cili është miqësor me ambientin mbi të gjitha i lirë./ (31 korrik)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.