Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi se Shqipëria është në zemër të procesit të anëtarësimit në BE.

Gonzato mori pjesë në punimet e konferencës diplomatike “Diplo 2025”, që mblodhi trupin diplomatik shqiptar nëpër botë.

Gonzato u fokusua tek procesi integrues i Shqipërisë, pasi më herët edhe Kryeministri i vendit Edi Rama në të njëjtën konferencë i kërkoi përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë ta vendosin fokusin e punës së tyre tek objektivi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Të jesh përfaqësues i BE-së këtu në Shqipëri është një përvojë fantastike. E ndjej veten si pjesë të kësaj përpjekjeje. Mesazhi që dua të përçoj është i vërtetë, real dhe këtë ua them edhe të rinjve në Shqipëri sepse janë ata që mbeten të zhgënjyer dhe e shohin të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. U them, ky është momenti ku të rinjtë, të cilët janë më krijues, me aftësitë e duhura që i nevojiten Shqipërisë janë ata që mund të bëjnë të pamundurën që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i BE-së”, tha Gonzato.

Sipas Gonzatos, ky moment është një mundësi unike për BE-në.

“Të kuptosh në fakt që modeli ynë po kërcënohet brenda Evropës, na bëri më të ndërgjegjshëm, më shumë se më parë në mënyrë që ne të bëjmë të pamundurën që i gjithë kontinenti që ndan këtë projekt, ka këto vlera të përbashkëta. Të bëhesh pjesë e BE-së nuk do të thotë që bëhesh pjesë e një projekti ekonomik apo tregu të vetëm, por është një përpjekje politike që bazohet te vlerat që ne i ndajmë me njëri-tjetrin. Verifikimi i realitetit do ndodhë edhe kur Shqipëria të bëhet anëtare”, vijoi Gonzato.

“Për herë të parë në Evropë ekziston rreziku i euroskepticizmit, jo te ata që nuk besojnë te projekti, por te ata që nuk po bëjnë të pamundurën për ato ideale, vlera që baballarët e BE-së kanë pasur. Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjerimin e BE-së, por për plotësimin e BE-së. Nuk mund të mohohet fakti që Shqipëria i takon BE-së, Evropës natyrisht që po”, theksoi ambasadori Gonzato, ndërsa shtoi se vendi ka avantazhe sa i përket demokracisë, rritjes ekonomike, por edhe mënyrës se si Shqipëria ka kontribuuar për përforcimin e politikës së jashtme në forume të ndryshme evropiane.

Sipas Gonzatos, të kesh një popullatë si e Shqipërisë që është entuziaste për integrimin në BE është një tregues që edhe qytetarët ecin me të njëjtin ritëm.

“Ecuria ka qenë fantastike dhe Shqipëria do bëhet pjesë e BE-së. Mendoj që ne do i mbyllim të gjithë grup-kapituj sivjet. Ka ngurrim e ankth në disa shtete të BE-së që shohin se krimi i organizuar po destabilizon jetët e tyre. Shqipëria po godet këto rrjete kriminale ndërkombëtare dhe ky është një sinjal i qartë dhe i fortë që kemi të bëjmë me një Shqipëri të re”, cilësoi Gonzato. (9 shtator)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.