Rama: Një agresion në zemër të Evropës nuk mund të jetë vetëm problem i Evropës
Kryeministri Edi Rama drejtoi në selinë e OKB në Nju-Jork, Debatin e Hapur të Nivelit të lartë, ku Presidenca Shqiptare e Këshillit të Sigurimit drejtoi një nga sesionet më të rëndësishme me temë “Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: Ruajtja e paqes dhe e sigurisë së Ukrainës”.
Në debat morën pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe 50 krerë shtetesh.
“Bota sot ka nevojë për një ndjenjë të fortë përgjegjësie prej të gjithëve ne për t’u përballur me sfida e kërcënimet e shumëfishta që haset planeti ynë, konflikte, kahje jokushtetuese të pushtetit, ndryshimi i klimës, përmbytje shkatërrimtare e thatësira që nuk kursejnë, përfshi zjarre masive të paparashikuara. Ajo çfarë dëshmojnë janë qëndrime gjithmonë e më tepër përçarëse, vepra shkatërrimtare e konfliktualitet midis e brenda shteteve”, u shpreh Rama.
“Një agresion në zemër të Evropës nuk mund të jetë vetëm problem i Evropës, siç disa mendojnë”, tha Rama./ (21 shtator)
Rama: Shqipëria përkrah Ukrainës
Kryeministri Edi Rama deklaroi nga selia e OKB-së në Nju-Jork se “Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj që të ngrihet e të qëndrojë për paqen, zhvillimin e përparimin; të qëndrojë në krah të të agresuarit dhe jo agresorit; të qëndrojë përkrah dhe me Ukrainën”.
Në deklaratën e tij në cilësinë si Kryeministër i Shqipërisë në Debatin e Hapur të Nivelit të lartë në Këshillin e Sigurisë, Rama tha se “Shqipëria është një vend i vogël, mbështetja jonë e vazhdueshme për Ukrainën mund të mos ndryshojë dinamikën në fushëbetejë, por kontribuon për të mos shpërblyer agresionin, për të mos pranuar aneksimin dhe për të mos e lënë atë çka është e qartë të shndërrohet në diçka të dyshimtë”.
“Abuzimi i përdorimit të vetos për fat të keq e ka mbajtur peng këtë Këshill, këtë Këshill Sigurimi, e ka mbajtur peng këtë Këshill Sigurimi, e pa paralizuar atë, por nuk e ka bërë të heshtë, por nuk e ka bërë të heshtë, ashtu siç mund të dëshmojnë këtu në këtë takim. Në fakt vlerat dhe rregullat që na sjellin bashkë, nuk duhet të zëvendësohen nga rregulli i forcës”, theksoi Rama.
Kryeministri Edi Rama foli edhe për Kosovën gjatë fjalimit në OKB.
Ai theksoi se “Rusia e të tjerë janë përpjekur ta përdorin apo më shumë ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar në Ballkanin Perëndimor sidomos lindjen e Republikës së Kosovës për të justifikuar ëndrrat e tyre neo-imperiale apo makthet e tyre që kanë eksportuar në Ukrainë”./ (21 shtator)
Rama: Rusia të rinisë nismën për marrëveshjen e grurit në Detin e Zi
Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediet para nisjes së Debatit të Hapur të Nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit, theksoi se do ta shfrytëzojë këtë takim për të bërë Rusinë të rinisë nismën për marrëveshjen e grurit në Detin e Zi, që po thellon urinë në botë.
“Efektet e dëmshme të luftës nuk kufizohen vetëm tek Ukraina dhe Europa, por ato vazhdojnë të përçojnë valë tronditjeje në çdo cep të botës dhe kërcënojnë sërish sigurinë e ushqimit në mbarë botën”, deklaroi ai.
“Kjo është arsyeja pse duhet të mbetemi të angazhuar dhe të përkushtuar për të sjellë në Këshillin e Sigurisë të vërtetën dhe realitetin e trishtë të këtij shkatërrimi të panevojshëm dhe tërësisht të shmangshëm për t’u përhapur, dhe duke bërë këtë të kundërshtojmë atë mesazh të shtrembëruar që kërkon të justifikojë pushtimin dhe aneksimin”, nënvizoi Rama./ (21 shtator)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.