“Shqipëria është biodiversitet”, BE mbështet projektin
“Shqipëria është biodiversitet” është një vepër arti tashmë e vendosur në sheshin “Skënderbej”, që ka për synim ndërgjegjësimin mbi ekosistemet dhe speciet në Shqipëri, pjesë e fushatës me të njëjtin emër që po zhvillohet si nismë e përbashkët mes PPNEA dhe “Heinrich Boell Stiftung Tirana”, e mbështetur edhe nga ambasada zviceriane, Delegacioni Evropian në Shqipëri, ambasada gjermane, ambasada franceze dhe Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Vepra është realizuar si një imazh i rikonceptuar i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar.
Duke konsideruar artin si një mjet të shprehjes dhe interpretimit, “Shqipëria është biodiversitet” vjen si punë që synon të nxisë kureshtje, reflektim dhe diskutim të hapur mbi kërcënimin e vazhdueshëm ndaj botës së egër në Shqipëri.
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca tha se “procesi i integrimit në BE ofron stimujt më të mirë për të garantuar mbrojtje më të fortë të burimeve natyrore të Shqipërisë”.
Edhe pse vetëm 28,748 kilometra katrore, Shqipëria ka një diversitet të pakrahasueshmëm duke ofruar 3 200 lloje bimësh, 800 lloje kërpudhash, 300 specie peshqish, 350 kategori shpendësh, 70 kategori gjitarësh dhe një sërë speciesh të tjera që mbeten ende për t’u zbuluar./ (5 tetor)
Tirana mikpret Panairin e Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër
Në Tiranë zhvillohet sot mbahet Panairi i Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër ku marrin pjesë 50 kompani ndërkombëtare. Në panair do të diskutohet mbi mundësitë e investimit në Shqipëri, si një treg me shumë potencial për investitorët dhe prodhuesit ndërkombëtarë.
Vitet e fundit Shqipëria zhvilluar në sektorin energjetik duke zgjeruar edhe burimet energjetike me ato të rinovueshme me synimin për të qenë lider në rajon në fushën energjetike dhe atë të ndërtimit. Fokus të veçantë panairi do t’i kushtojë Energjisë së Rinovueshme dhe Eficiencës së Energjisë.
Përveç prodhimit të energjisë nga burimet ujore, në Shqipëri sektori energjetik po diversifikohet me investime të shumta të prodhimit të energjisë fotovoltaike apo edhe eolike./ (5 tetor)
IPA II ndryshime në marrëveshjen e financimit me BE
Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2020, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA II) mori miratimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas autoriteteve, marrëveshja bazë e miratuar në vitin 2020 përfshinte disa dokumente veprimi, njëri prej të cilëve ishte edhe mbështetja buxhetore për të zbutur efektet dhe përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19 në ekonominë dhe familjet shqiptare.
Marrëveshja ka nevojë të rishikohet pasi gjatë zbatimit të dokumentit të veprimit, vendi u përball edhe me pasojat që erdhën nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, çka ndikoi që disa nga indikatorët të mos plotësoheshin dhe të kërkohej arritja e dakordësisë me Komisionin Europian për një set të ri indikatorësh në mënyrë që të përthithej plotësisht fondi i akorduar prej 36 mln euro.
Ndryshimet do të kryhen në funksion të zbatimit të kontratave që janë pjesë e dokumentit të veprimit “BE për mirëqeverisjen”, si dhe do të adresojnë modifikimet në procesin e disbursimit të fondeve të mbështetjes buxhetore, në dakordësi me përfituesit e veprimit, pa përfshirë implikime financiare shtesë./ (5 tetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.