Me dhjetë shekuj histori, nga shekulli i 4-t para Krishtit deri në shekullin e 6-të pas Krishtit, kodra ku ndodhet parku arkeologjik i Bylisit në zonën e Mallakastrës në jugperëndim të Shqipërisë ofron një pamje mahnitëse të lumit Vjosa – por ka shumë më tepër për të zbuluar.
Mjaft të rinj nga zona janë bërë pjesë e trajnimit për udhërrëfyes turistikë vendas, si pjesë e programit “BE për Zhvillim Ekonomik – Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga turizmi, me fokus te Trashëgimia Kulturore”.
Këta të rinj do u zbulojnë vizitorëve sekretet e parkut, ndërkohë që do të rriten profesionalisht edhe vetë.
Projekti, i mbështetur nga BE-ja, punon për përmirësimin e aftësive dhe kapaciteteve, duke rritur në të njëjtën kohë bashkëpunimin mes komuniteteve vendore dhe administratës së parkut.
16 aplikantë ndjekin leksione në module të ndryshme, duke mësuar historinë e vendit nga Profesor Neritan Ceka, i cili ka gërmuar në park për dekada, si dhe duke ndjekur trajnime komunikimi. Aplikantët do të certifikohen në nëntor.
Aplikantët mësojnë modulin e komunikimit, i cili mbulon menaxhimin e grupit, trajtimin e dallimeve kulturore, psikologjinë e grupit, teknikat e të folurit në publik dhe udhëzimet, se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjë një udhërrëfyes, qoftë në një vend arkeologjik, në një tur më këmbë, në një muze apo në një automjet në lëvizje.
Sipas udhëheqësit të ekipit, Ilir Parangoni, “BE për Zhvillim Ekonomik – Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga turizmi, me fokus te Trashëgiminë Kulturore”, është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore.
“E para është ruajtja e trashëgimisë kulturore të parkut, e cila përfshin zonat e Bylisit dhe Klosit. E dyta është përmirësimi i infrastrukturës turistike. E treta – dhe më e rëndësishmja – është zhvillimi ekonomik i komunitetit vendor. Kjo shtyllë përfshin një gamë të gjerë nismash zhvillimore vendore, duke filluar me trajnimin e të rinjve nga komuniteti si udhërrëfyes”, thotë Parangoni.
Puna e projektit me parkun filloi me hartimin e dokumenteve kryesore, duke përfshirë një plan menaxhimi dhe kornizat ligjore. Tani po ecën përpara me plane për të ngritur një qendër vizitorësh, panele informacioni, një muze, një kënd komunitar dhe shtigje brenda Parkut të Bylisit.
Qëllimi është të zhvillohet zona si një destinacion turistik me punonjës të kualifikuar, shërbime të mira dhe menaxhim të fortë.
Produktet artizanale vendase do të kenë hapësirën e vet dhe programi synon të nxjerre në pah atë çka është autentike në zonë – që nga recetat tradicionale deri te qëndisjet.
Aplikantët edhe pse kanë jetuar në zonë që të vegjël, tashmë po ndërgjegjësohen për mundësitë e shumta që ofron ajo, me turizëm kulturor, historik, natyror dhe industrial.
“BE-ja për Zhvillim Ekonomik – Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga turizmi, me fokus te Trashëgimia Kulturore” është një projekt i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga AICS, i cili synon të rrisë dhe ruajë përdorshmërinë dhe atraktivitetin e pasurive të trashëgimisë kulturore në sitin arkeologjik të Bylisit.
Programi ruan dhe restauron trashëgiminë kulturore të Bylisit, përmirëson qasjen dhe rrit qëndrueshmërinë e trashëgimisë kulturore të Bylisit, pasurive natyrore dhe pasurive të tjera vendore me pjesëmarrjen dhe përfshirjen e komuniteteve vendore. Ai nxit gjithashtu zhvillimin ekonomik vendor përmes miratimit të qasjes së BE-së për Zhvillimin Vendor të Udhëhequr nga Komuniteti (CLLD), duke përmirësuar aftësitë dhe kapacitetet, si dhe duke rritur bashkëpunimin mes komuniteteve vendore dhe administratës së parkut. (29 shtator)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.