BE: Hapja e Kolegjit të Evropës një ngjarje historike
Delegacioni i BE-së në Tiranë e konsideroi historike hapjen në Tiranë të Kolegjit të Europës, i pari kampus jashtë BE-së, që i hap dyert njëkohësisht arsimimit të nivelit botëror për studentët shqiptarë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe rektoren e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini çelën aplikimet për vitin akademik 2024-2025 në kampusin e Tiranës.
“Kolegji i Evropës do t’u japë mundësi studentëve të rinj nga Shqipëria, atyre nga Ballkani Perëndimor dhe nga e gjithë Evropa që të njohin BE-në në thellësi dhe në të ardhmen të bëhen ata që do ta përfaqësojnë atë në të gjithë botën”, njoftoi delegacioni i BE.
Programet për vitin akademik 2024 – 2025 do të nisin 31 studentë./ (23 tetor)
Von der Leyen: Paketë financiare me bursa për studentët e Ballkanit Perëndimor
Komisioni Evropian ka caktuar fonde për mbështetjen e krijimit të kampusit, por më shumë fonde do të vijojnë.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen u shpreh e kënaqur që 31 studentë do të jenë pjesë e kursit master, por ajo njoftoi se do të ketë paketë financiare me bursa për studentët e Ballkanit Perëndimor.
“Do të kemi një paketë me bursa, do të jenë 15 bursa gjatë tre viteve të ardhshme. Besoj që të gjithë e kuptojmë se sa e rëndësishme është kjo. Kështu, ne ndihmojmë ata studentë që s’do kishin patur mundësi t’i ndiqnin mësimet master, do të kenë mundësi t’i bëjnë realitet dëshirat e tyre. Ne sot do përpiqemi për të punuar me brezin e ri, i cili nesër do të punojë për të afruar më shumë rajonin me BE-në”, përfundoi Von der Leyen./ (23 tetor)
Rama: Inkurajuese kur BE kalon nga fjalët në vepra
“Dija është rruga për t’iu afruar Bashkimit Evropian”, deklaroi kryeministri Edi Rama në ceremoninë ku u çelën zyrtarisht aplikimet për të rinjtë që duan të jenë pjesë e Kolegjit Evropian të Bryzhit. Duke vlerësuar shpejtësinë me të cilën
Bashkimi Evropian bëri realitet hapjen e Kolegjit Evropian të Bryzhit, Rama tha se është inkurajuese që unioni ka kaluar kaq shpejt nga fjalët në vepra.
“Kjo është diçka që e kemi përjetuar këto vitet e fundit falë përkushtimit të posaçëm të presidentes Von der Leyen që na ka shoqëruar në momente mjaft të errëta, si për shembull kur tërmeti shkatërrimtar goditi Shqipërinë, dhe mund ta them pas asnjë dyshim që rrugëtimi ynë për t’u ringritur dhe për të ndërtuar nga e para dhe më mirë do të kishte qenë thjesht i pamundur”, tha Rama./ (23 tetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.