BE mbështet ndërmarrjen sociale për të rinjtë me nevoja të veçanta

Atelieja & Kafeneja SNAP është biznesi më i ri shqiptar i ngritur falë projektit të financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit “Spreading Social Etnterprise”.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë publikoi pamje nga ky biznes duke ftuar qytetarët të kontribuojnë në suksesin e tij pasi bëhet fjalë për mbështetjen e të rinjve me nevoja të veçanta.

“Mes qindra kafeneve në Tiranë, të rekomandojmë një të veçantë. Kjo nuk është vetëm një kafene, por synon edhe krijimin e një ndërmarrje të re sociale që përfshin të rinjtë me nevoja të veçanta në formimin profesional brenda SNAP-it dhe negocimin e punësimit të tyre me kompani të ndryshme”, u shpreh delegacioni i BE-së në Tiranë, duke shprehur krenarinë për krijmin e mundësive të reja për ë rinjtë shqiptarë falë projektit të financuar nga BE-ja./ (30 tetor)

BE mbështet projektin për riintegrimin e të kthyerve romë

Familjet e kthyera nga emigrimi në zonën e Devollit po përballen me sfida të reja mes të cilave janë lufta për të ardhura të qëndrueshme, punësim formal, akses në arsim dhe mungesa e përvojës së punës.

Mes këtyre sfidave, 15 gra u mbështetën nga një projekt i UNDP Albania i financuar nga BE-ja “Riintegrimi i të kthyerve romë”. Ky projekt bashkoi forcat me një organizatë lokale të shoqërisë civile, “Qëndistaret”, në Devoll, e njohur për traditat e saj të kuzhinës.

Sot, ato prodhojnë sapunë dhe gatime tradicionale vendase për të gjeneruar të ardhura. (30 tetor)

Gjermania mbështetje Shqipërisë në sektorin e ujit

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, nënshkruan marrëveshjen me fokus përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimeve të ujërave të përdorur dhe trajtimit të tyre në disa bashki të Shqipërisë prej 50 milionë eurosh.

Balluku tha se marrëveshja kontribuon në përmirësimin e sistemit me ujë të pijshëm dhe ujërave të përdorura urbane dhe se prioritet do të jenë zonat turistike.

Programi i Performancës dhe Investimeve në Sektorin e Ujit është nismë e qeverisë shqiptare e mbështetur nga qeveria gjermane, përmes KfW, nga Bashkimi Evropian dhe nga qeveria e Zvicrës dhe synon përmirësimin e faciliteteve të ujit në nivel lokal me përforcimin e kushteve në linjë me praktikat më të mira të BE dhe linjëzimin me standardet europiane.

Bashkëpunimi për zhvillim i Gjermanisë me Shqipërinë nisi në vitin 1988 dhe që atëherë, qeveria gjermane ka angazhuar më shumë se një miliard euro për projekte zhvillimore./ (30 tetor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.