Në Shqipëri u prezantua linja e parë e riciklimit të qelqit në vend që përbën një hap të madh drejt trajtimit të qëndrueshëm të rreth 42 000 tonëve mbetje qelqi në vit.

“Albania Glass Recycling” në Bubq të Krujës është kompania e parë e riciklimit të qelqit në Shqipëri, e cila përfaqëson një hap të ri drejt ekonomisë qarkulluese.

Linja e riciklimit u realizua falë mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes programit EU4CELC, me mbështetjen e GIZ Albania dhe BMZ, RecycAl – Circular Economy Park.

E ndërtuar nga inxhinierë shqiptarë, linja përpunon deri në 36000 tonë/vit, duke krijuar partneritete me prodhues, shpërndarës dhe bizneset HORECA për ta kthyer qelqin nga landfilli në burim vlere.

Nga ky proces do të dalin dy produkte të qëndrueshme:  VetroPool – rërë qelqi e ricikluar për filtrimin e ujit në pishina;  Terrazo qelqi – material dekorativ për pllaka, dizajn të brendshëm dhe mobilim urban.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë vëren se ky është një shembull konkret i ekonomisë qarkulluese në veprim dhe i partneritetit BE–Shqipëri për një të ardhme më të gjelbër.

Në prezantimin e kësaj nisme të parë të këtij lloji në Shqipëri ishte i pranishëm edhe ministri shqiptar i Mjedisit, Sofjan Jaupaj i cili e cilësoi këtë kompani një shembull të qartë të bashkëpunimit midis qeverisë, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Kjo kompani do të sjellë rezultate konkrete për një ekonomi më të gjelbër dhe duke ulur volumin e mbetjeve. Gjatë këtij muaji kemi pasur një sërë përurimesh edhe në qytete të tjera sa i takon stacioneve të grumbullimit dhe riciklimit të mbetjeve, ku një pjesë e mirë e mbetjeve riciklohet dhe rikthehet në treg duke ulur edhe numrin e sasisë së mbetjeve në territorin e vendit, por edhe të mbetjeve që përfundojnë në landfille”, theksoi Jaupaj.

Sipas ministrit Jaupaj miratimi në Kuvend i ligjit të ri “Për menaxhimin e mbetjeve”, sjell një qasje të re, por edhe konform legjislacionit të BE-së, ku grumbullimi dhe riciklimi janë në qendër të tij.

Aktualisht, akoma normat e riciklimit janë në 18%. Tregu shqiptar me 870 mijë tonë mbetje që prodhon në vit është një treg i rëndësishëm edhe për ricikluesit.

Shqipëria ka hapur 5 nga 6 grup-kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian dhe pret të hapë të fundit brenda vitit, ku grup-kapitulli i mjedisit dhe sigurisë ushqimore mbetet ndër më të rëndësishmit. (10 nëntor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.