Shqipëri-BE 94 ditë takime për procesin screening
Shqipëria përfundoi me sukses fazën e parë të negociatave, ishte vlerësimi pozitiv që Komisioni Evropian bëri për përgatitjen e vendit për procesin screening.
Kryetari i taskeforcës për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Marc Jorna bëri të ditur lajmin ndërsa dha dhe detaje nga puna e përfunduar tashme me vlerësim pozitiv.
Sipas tij, janë 94 ditë takime të zhvilluara dhe mbi 1 000 zyrtarë të Komisionit të përfshirë.
“Vlerësim pozitiv i përgatitjes së vendit, i vizionit të qartë për rrugën drejt anëtarësimit. Urime për këtë hap të parë në negociatat tuaja të pranimit”, u shpreh Jorna./ (30 nëntor)
Hasani: Shqipëria një hap më afër BE-së
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani ndërsa përshëndeti përfundimin e fazës së parë të negociatave për pranimin në BE, u shpreh se Shqipëria shënoi një tjetër hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, ky proces zgjati për 14 muaj me 777 prezantime ndërsa që prej vitit 2022, u mbajtën 300 takime shpjeguese dhe dypalëshe për shqyrtimin e acquis.
“Ky proces e sjell Shqipërinë më afër me Bashkimin Evropian dhe e bën atë më të përgatitur për fazat e mëtejshme të integrimit”, u shpreh Hasani.
“Një nxitje për angazhim intensiv, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, deklaroi ai./ (30 nëntor)
Ndihma e BE pas tërmetit të 2019, 7 nga 19 objekte të trashëgimisë kulturore të përfunduara
Bashkimi Evropian njoftoi në 4-vjetorin e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë nëntorin e vitit 2019 se 7 nga 19 objekte të trashëgimisë kulturore të projektit EU4Culture tashmë janë të përfunduara.
Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha në 11 bashki, duke përfshirë objekte të shumta të trashëgimisë kulturore.
Për të ndihmuar Shqipërinë të rehabilitojë këto objekte, BE-ja nisi projektin #EU4Culture, zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
Ky projekt ka si qëllim rehabilitimin dhe rivitalizimin e objekteve të trashëgimisë kulturore që u dëmtuan nga tërmeti.
Deri tani 7 nga 19 objekte të trashëgimisë kulturore janë përfunduar./ (30 nëntor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.