EU4LEA dhuron pajisje lexuese të numrit identifikues të mjeteve

Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, EU4LEA i dhuroi Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor në Shqipëri pajisje lexuese të numrit identifikues dhe gjenerimit të të dhënave të automjeteve, ndërsa u nënshkrua marrëveshja mes drejtorit të DPSHTRR, Blendi Gonxhja dhe përfaqësuesit të EU4LEA, Richard Dullnigg për mbështetje për identifikimin e mjeteve motorike të vjedhura ose të manipuluara.

Nëpërmjet pajisjeve të dhuruara, të cilat do të furnizohen në çdo drejtori rajonale mundësohet eliminimi i tentativave për regjistrimin e mjeteve të vjedhura apo manipuluara duke ofruar shërbime më të sigurta me rritje të kapaciteteve teknike dhe staf të kualifikuar/trajnuar.

EU4LEA, është një projekt asistence teknike i financuar nga BE, i krijuar për të mbështetur dhe ndihmuar agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit në Shqipëri, veçanërisht Policinë e Shtetit Shqiptar, Ministrinë e Brendshme, SPAK (SPO dhe NBI), Prokuroria e Përgjithshme, përfshirë Prokuroritë e Rretheve (PO), në arritjen e objektivave të tyre dhe afrimin e performancës së tyre me standardet e BE-së./ ( 8 dhjetor)

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato dorëzon Letrat Kredenciale

Ambasadori i sapoemëruar i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Kënaqësi që filloj mandatin tim në Tiranë si ambasadori i ri i BE-së. Ne kemi një mundësi unike për ta integruar më tej Shqipërinë në BE duke konsoliduar progresin e arritur deri tani dhe duke ndjekur reformat e nevojshme për ta bërë këtë vend më të begatë, më modern dhe më gjithëpërfshirës. Mezi pres të punojmë së bashku me autoritetet shqiptare dhe popullin shqiptar”, tha ambasadori Gonzato./ (8 dhjetor) 

BE mbështetje për përdorimin efikas të burimeve natyrore

Projekti “Rruga drejt përdorimit efikas të burimeve natyrore lokale” financuar nga Bashkimi Evropian mbështet bashkitë e Kurbinit dhe Suharekës për të përdorur burimet natyrore në mënyrë të qëndrueshme.

Sipas delegacionit të BE në Shqipëri “natyra nuk njeh kufij dhe po kështu edhe projektet e BE për vendet e rajonit”.

Projekti që po zbatohet në bashkinë e Kurbinit në Shqipëri dhe në atë të Suharekës në Kosovë synon të rregullojë përdorimin lokal të burimeve natyrore përmes masave të synuara të eficiencës së energjisë dhe energjisë së rinovueshme./ (8 dhjetor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.