BE 7,5 milionë euro në mbështetje të ruajtjen e burimeve të ujit në Shqipëri
Bashkimi Evropian dhe Austria nisën projektin e ri “EU4Rivers”, i cili synon të mbështesë Shqipërinë në ruajtjen dhe rikthimin e burimeve të ujit të pastër.
EU4Rivers u lançua në një ceremoni të përbashkët nënshkrimi në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, me praninë e ministres Mirela Kumbaro, shefit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadorit Silvio Gonzato, ambasadorit të Austrisë në Shqipëri Christian Steiner, kreut i Zyrës ADC (Austrian Development Cooperation) në Tiranë David Muckenhuber.
Projekti 5-vjeçar është bashkëfinancuar nga BE (7,5 milionë euro) dhe Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (1,3 milionë euro) dhe zbatohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
Në veçanti, projekti EU4Rivers synon të mbështesë Shqipërinë në përafrimin me standardet e ujit të BE-së, duke u fokusuar në ngritjen e një sistemi të besueshëm monitorimi të ujit dhe rritjen e kapaciteteve institucionale për menaxhimin efektiv të burimeve ujore./ (11 dhjetor)
BE mbështetje projekteve për të rinjtë
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ishte pjesë e aktivitetit Under 30 në Tiranë organizuar nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.
“Kënaqësi të shihnim BE-në të ishte e përfaqësuar mirë me programe dhe projekte të shumta”, u shpreh delegacioni i BE-së ndërsa theksoi se po krijon mundësi të reja për të rinjtë shqiptarë përmes arsimit, shkëmbimeve dhe përmirësimit të aftësive.
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato vizitoi stendat dhe iu drejtua qindra të rinjve shqiptarë, duke theksuar shumëllojshmërinë e programeve të BE-së në mbështetje të rinisë së vendit.
“Shumë krenar kur shoh se mbështetja jonë për brezat e ardhshëm të Shqipërisë është duke patur ndikim. Ne synojmë të sjellim përfitimet e të qenit pjesë e BE-së këtu dhe tani.
“BE do të vazhdojë të qëndrojë me të rinjtë e këtij vendi. Mezi pres të takoj më shumë të rinj shqiptarë për të dëgjuar idetë dhe shqetësimet e tyre”, u shpreh ambasadori i BE-së Silvio Gonzato./ (11 dhjetor)
Gonzato: Kolegji i Evropës mundësi për të rinjtë shqiptarë dhe nga rajoni
Të rinjtë shqiptarë së bashku me bashkëmoshatarët e tyre nga rajoni do të kenë shansin të thellojnë njohuritë e tyre për Bashkimin Evropian dhe të bëhen ata që e përfaqësojnë atë në të gjithë botën falë Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato mori pjesë në një pritje të organizuar pranë zyrës së përfaqësisë së Kolegjit të Evropës në Tiranë.
“Prania e Kolegjit të Evropës këtu në Tiranë është një shenjë shumë e prekshme që Evropa Është Këtu dhe fakti që ne do të sjellim të rinj nga e gjithë Evropa për të sjellë dinamizëm të ri jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë në tërësi, është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha ambasadori i BE-së Silvio Gonzato./ (11 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.