Shqipëria harmonizim të legjislacionit me BE për mjedisin 

Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka nisur “Fushatën e Gjelbër”, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë, politikëbërësve, shoqërisë civile, bizneseve dhe aktorëve të tjerë rreth çështjeve mjedisore që prekin vendin.

Andrea Ferrero, i Seksionit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social në delegacionin e BE-së, tha se, “ndërsa Shqipëria po përparon në procesin e anëtarësimit në BE, është thelbësore të harmonizojë politikat, ligjet dhe nismat e saj në përputhje me legjislacionin e BE-së në fusha vendimtare si menaxhimi i ujit, biodiversiteti, energjia e gjelbër dhe qarkore, cilësia e ajrit dhe ndryshimet klimatike”.

Ferrero theksoi se, “gjatë dhjetë viteve të fundit në mbështetje të mbrojtjes së mjedisit dhe diversifikimit të natyrës në Shqipëri janë investuar 210 milionë euro nga BE”./ (20 dhjetor)

BE financon projektin “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona”

“Mushkëri të gjelbra për qytetet tona” është projekti i financuar nga BE-ja. Ky projekt është një platformë e monitorimit nga poshtë-lart për cilësinë e ajrit, ndotjen akustike dhe gjelbërimin urban, duke ndikuar në hartimin e politikave në nivel vendor që i shërbejnë përafrimit të standardeve sipas BE-së, për këta tregues që përmirësojnë cilësinë e jetës.

Objektivi i përgjithshëm i projektit ishte t’u mundësonte organizatave mjedisore vendore të shoqërisë civile të ndikojnë te politikat dhe performancat mjedisore në nivel vendor në përputhje me kërkesat e anëtarësimit në BE./ (20 dhjetor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.