Shqipëria përfiton 1 miliard euro grante dhe kredi të buta nga plani i rritjes i BE

Shqipëria pritet të përfitojë deri në 1 miliard euro, në formën e granteve dhe kredive të buta nga Plani i Rritjes i prezantuar nga Komisioni Europian.

Ministri shqiptar i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete deklaroi në një analizë të treguesve ekonomikë dhe pritshmërive për vitin 2024 se plani i rritjes, i prezantuar së fundmi nga Komisioni Evropian pritet të shërbejë si shtysë për përshpejtimin e procesit të integrimit dhe reformave.

Por, ai theksoi se plani do të shoqërohet me një paketë domethënëse financiare për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria pritet të përfitojë deri në 1 miliardë euro, në formën e granteve dhe kredive të buta, krahas mbështetjes që merr aktualisht nga programet IPA.

Ky Plan Rritjeje i BE-së, vuri në dukje ministri, synon të sjellë për vendet e rajonit disa nga përfitimet e anëtarësimit, përpara hyrjes zyrtare në BE, si edhe të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike, si mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe mes tyre dhe Bashkimit Evropian./ (8 janar)

BE grante për ripërdorimin e tokave të konfiskuara

Delegacioni I Bashkimit Evropian në Shqipëri u bëri thirrje novatorëve, OJF-ve dhe sipërmarrjeve sociale në Shqipëri të aplikojnë në një program të ri grantesh që kanë të bëjnë me ripërdorimin e tokave të konfiskuara.

Kështu, organizatat që kanë si profil të veprimtarisë së tyre bujqësinë dhe zhvillimin rural, mbrojtjen e mjedisit, përfshirjen gjinore, sundimin e ligjit ose të drejtat e njeriut mund të përfitojnë grante deri 58,000 Euro të disponueshme për të mbështetur ripërdorimin në të mirë të shoqërisë të tokës bujqësore të konfiskuar në rajonet e Tiranës dhe Durrësit./ (8 janar)

Bursa për studentët në Kolegjin e Evropës në Tiranë

Studentët që do të pranohen në kampusin e Kolegjit të Evropës në Tiranë kanë një supermundësi në lidhje me financimin e studimeve të tyre.

Delegacioni i Bashkimit Evropian njoftoi se gati 100% e studentëve të pranuar në programin e ri do të marrin bursa, duke siguruar mbështetje financiare për studimet e tyre.

Kolegji i Evropës mori në konsideratë hapjen e një kampusi në rajon dhe një vit pas samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, kërkesa u bë realitet.  (8 janar)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.