Vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, në Shqipëri janë duke u zbatuar 81 projekte me financim të huaj, me vlerë të përgjithshme rreth 2.3 miliardë euro, ku mbi 18.2% e kësaj shume lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrje klimatike dhe mjedisore, duke dëshmuar se klima është tashmë një nga destinacionet kryesore të financimeve zhvillimore në vend”.

Në Tiranë u mbajt Konferenca Kombëtare e Financave të Klimës, ku ministri shqiptar i Mjedisit, Sofjan Jaupaj paraqiti projektet më të mëdha që po zhvillohen në vend duke vënë në dukje se Bashkimi Evropian mbetet kontribuesi më i madh dhe partneri strategjik i Shqipërisë në tranzicionin e gjelbër.

Nën instrumentin IPA III, Dritarja 3 “Marrëveshja e Gjelbër dhe Konektiviteti i Qëndrueshëm” përfaqëson shtyllën kryesore të mbështetjes së BE-së për Shqipërinë.

Rreth 15% e portofolit IPA për Shqipërinë është dedikuar për ndërhyrje klimatike, përfshirë programet BE për Natyrën, BE për Ekonominë Qarkulluese, BE për Ujin, paketën e rezistencës energjetike nën IPA 2023 me vlerë 80 milionë euro, si dhe programin BE për Pyjet me 13 milionë euro nën IPA 2024.

Krahas kësaj, Programet Operacionale 2024–2027, veçanërisht Programi Operacional për Eficiencën Energjetike, me vlerë totale 79 milionë euro – ku 50 milionë euro janë kontribut i BE-së dhe 29 milionë euro bashkëfinancim kombëtar – adresojnë drejtpërdrejt ndërtesat publike, e-mobilitetin, energjinë e rinovueshme dhe elektrifikimin e hekurudhave, duke përputhur politikat tona kombëtare me prioritetet e BE-së për neutralitet klimatik.

Ministri Jaupaj bëri të ditur se “në kuadrin e Facilitetit për Reforma dhe Rritje, fusha e politikës nr.4 që i dedikohet energjisë së pastër parashikon një fond 127.8 milionë euro, i cili pritet të përthithet nga institucionet shqiptare pas kryerjes së reformave të qëndrueshme me fokus klimën dhe energjinë e pastër”.

Në vitet e fundit, tranzicioni i gjelbër është shndërruar në boshtin themelor të modernizimit të shtetit shqiptar, një bosht që përkufizon qartë ambicien e vendit për të avancuar si një ekonomi evropiane, rezistente, konkurruese dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Po ashtu, nga ana e financave, përveç Bashkimit Evropian, Banka Botërore ka aktualisht në zbatim 1,474 milionë euro projekte, KfË dhe GIZ rreth 1,240 milionë euro, ndërsa Japonia dhe AFD kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në projektet mjedisore përkatësisht me 717,500 euro dhe 610,000 euro. Zvicra dhe Suedia mbeten gjithashtu partnerë të qëndrueshëm në financime klimatike. (16 dhjetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.