Partneritet gjithnjë e më i ngushtë BE-Shqipëri
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato njoftoi se ra dakord gjatë një takimi me zëvendëskryeministen shqiptare, Belinda Balluku për përmirësimin e partneritetit në përputhje me axhendën e gjelbër të Bashkimit Evropian.
Gonzato njoftoi se gjatë takimit bisedoi për partneritetin gjithnjë e më të ngushtë mes Shqipërisë dhe BE-së, i cili sjell përfitime të prekshme për popullin shqiptar përpara anëtarësimit në BE.
Ai theksoi se me Ballukun u ra dakord që të shfrytëzohen së bashku mundësitë e ofruara nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor për të përshpejtuar integrimin ekonomik të Shqipërisë./ (29 janar)
BE nxit aktivistët me konkursin “GreenInnovators”
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë shpalli 3 fitues të konkursit “GreenInnovators”: Jursi Temali, Redina Berçaj, Erdit Asllanaj.
Ata shfaqën aktivitetin e tyre “të gjelbër” në video të shkurtra dhe kreative në rrjetet sociale.
Konkursi nxit mbrojtjen e mjedisit dhe shpërblen të rinjtë që shpërndajnë mesazhe mbresëlënëse të ndjesisë për natyrën dhe ruajtjen e mjedisit.
BE falënderoi 3 fituesit që, sipas motivacionit, “përfshihen në mënyrë kaq aktive në nisma të tilla me ndikim, duke ndihmuar drejtpërdrejt në jetët e të gjithëve”./ (29 janar)
BE financon një qendër komunitare multifunksionale
Qendra Komunitare Multifunksionale në Devoll, 160 kilometra në juglindje të Tiranës, është një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë mes bashkisë së Devollit dhe komuniteteve lokale, në kuadër të projektit rajonal, të financuar nga BE, “Projekti për Riintegrimin e të Rikthyerve Romë dhe Egjiptianë”.
Ky projekt jetik është më shumë se thjesht një qendër, është një mbështetje e madhe për komunitetet në nevojë.
Nga shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuara, tek programet pas mësimit për fëmijët nga shtresat në nevojë, nga fuqizimi i grave dhe mbështetja për hapjen e bizneseve deri te mbështetja e të rinjve për t’u bërë guida turistike, ky projekt rajonal po sjell ndryshime pozitive në jetën e qytetarëve vulnerabël./ (29 janar)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.