Tirana mikpret samitin rajonal BE-BP
Tirana mikpriti sot Samitin Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencësme fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ky samit i dytë ofroi mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.
Në samit ishte i pranishëm komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:
– Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.
– Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.
– Përshpejtimi i reformave themelore
– Rritja e ndihmës financiare
BE-ja do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.
Rama: Mbështetje e re për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor
Kryeministri shqiptar, Edi Rama hapi samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor duke e cilësuar planin e ri të rritjes së BE si një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit. Shuma financiale e BE-së për këtë plan për periudhën 2024-27 është 6 miliardë euro.
“Mundësia e re që përfaqëson ky plan që është jashtë kornize, është jo vetëm njohje nga ana e BE-së e përpjekjeve tona prej një dekade për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët kundër erërave të egra të së shkuarës, por për kështu edhe na sfidon për të dëshmuar gatishmërinë tonë për fatin e përbashkët europian”, deklaroi Rama.
“Mundësitë mund të merren ose mund të humben, ne duhet të angazhohemi plotësisht pa asnjë rezervë, pa asnjë hezitim, pa kufizime, pa shtrëngime dhe të përfitojmë nga kjo mundësi”, theksoi ai.
Rama u bëri thirrje liderëve rajonalë të lënë mënjanë dallimet dhe të bashkëpunojnë për të përfituar nga plani.
“Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra-tjetrës e as mund të sigurohet mirëqenie për njerëzit tanë pa instrumentet e paqes e të bashkëpunimit përtej kufijve, përtej gjuhëve e përtej varianteve të ndryshme të historisë”, u shpreh ai.
“Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë ose mungesa e kësaj begatie do të na bëjë të humbasim paqen. Kështu funksionon Bashkimi Evropian, kështu duhet të funksionojë Ballkani Perëndimor. BE është tanimë më i gatshëm se kurrë të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e konstelacionit të vet”, tha Rama./ (29 shkurt)
Varhelyi: Plani i ri i rritjes do dyfishojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor
Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi deklaroi se plani i ri i rritjes i BE për vendet e rajonit është ambicioz.
“Ne kemi gjysmën e kohës për ta vënë atë në zbatim, ai do duhet të vazhdonte deri në 2027, por mendoj që ne kemi besim të plotë tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ju do të mund të arrini t’i merrni përfitimet e këtij plani, të mirat që sjell ky plan, i cili ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në dhjetë vitet e ardhshme”, tha ai.
“Pra, flasim për dyfishimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor që do të thotë që boshllëku i zhvillimit tashmë është i konsiderueshëm”, shtoi Varhelyi.
“Që të ecim përpara na duhet që rajoni të ecë përpara vetë me shpejtësi dhe kjo do të thotë që të arrihen rezultate për ato reforma që në fakt e bëjnë këtë plan funksional dhe ky plan do të funksionojë në rast se ju aplikoni rregullat e Bashkimit Evropian”, tha Varhelyi./ (29 shkurt)
Koopman: Ndryshime ambicioze në legjislacionin e 6 vendeve
Shefi i Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, (DG Near), Gert Jan Koopman deklaroi sot nga Tirana se për të ecur përpara me planin e rritjes së Bashkimit Evropian, duhet ritëm I qëndrueshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ky ritëm duhet të udhëhiqet nga lart.
“Është një përpjekje e të gjithë shoqërisë dhe institucionet e pavarura duhet të bëjnë punën e tyre për këto ndryshime, përndryshe nuk do t’ia dalim mbanë që të arrihet gjithçka për këtë rritje që ne kërkojmë”, tha ai në samitin e Tiranës.
“Vënia në zbatim është e vështirë, nuk është diçka e lehtë, është e vështirë për vendet e rajonit sepse ato vende do të duhet të bëjnë disa ndryshime ambicioze në legjislacion për ta përafruar atë me legjislacionin e Bashkimit Evropian”, tha Koopman./ (29 shkurt)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.