Shkolla “Eftali Koçi” në Durrës, 35 kilometra në veriperëndim të Tiranës, ka marrë një pamje krejt të re pas rikonstruksionit total të ambienteve të brendshme dhe të jashtme, e financuar nga programi “EU4School” i Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe bashkinë e Durrësit.
Në ceremoninë e inagurimit të shkollës së re ishin të pranishëm ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, përfaqësuesja e UNDP-së, Monica Merino, mësues, nxënës dhe përfaqësues të komunitetit lokal.
“Ne po ecim shpejt me programin e rindërtimit dhe jemi në prag të finalizimit të gjithë këtyre investimeve të mëdha që në fakt kanë ndërruar tërësisht faqen e shkollave tona”, u shpreh ministrja e Arsimit, Manastirliu.
Investimi për rikonstruksionin e shkollës ka përmirësuar infrastrukturën fizike, si dhe e ka pajisur shkollën me laboratorë të rinj për IT, kimie, biologji, dhe fizikë, si dhe një palestër dhe terrene sportive moderne.
“Kënaqësi që kemi qenë sot në një nga shkollat më të bukura që kemi parë në rindërtim nga përpjekjet që janë bërë me anën e programit BE-ja për shkollat dhe në fakt është vërtet kjo dëshmi e gjithë asaj pune që është bërë në 11 bashki të Shqipërisë me rindërtimin e rreth 64 institucioneve arsimore”, tha ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato./ (13 mars)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.