Liria e medias, mbrojtja e gazetarëve, e drejta për informim, pavarësia mediatike dhe luftimi i dezinformimit ishin fjalët kyçe të takimit që u zhvillua në Tiranë me gazetarë e aktorë të tjerë nën organizimin e delegacionit të Bashkimit Evropian.
Qëllimi i takimit ishte ndarja e mendimeve rreth përmirësimit të mjedisit mediatik për gazetarët shqiptarë.
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato nënvizoi se liria e medias ka një rol jetik në shoqëritë tona dhe inkurajoi Shqipërinë të shfrytëzojë momentin aktual në procesin e integrimit në BE për të bërë përparim cilësor në fushën e lirisë së medias dhe asaj të shprehjes.
Takimi u mbajt në përvjetorin e pestë të Faktoje.al, organizatës së parë të kontrollit të fakteve në Shqipëri, e cila është mbështetur nga Bashkimi Evropian që në fillimet e saj.
Në takim, përfaqësuesit e medias dhe të BE theksuan rëndësinë e të menduarit në mënyrë kritike në dallimin e fakteve nga manipulimi i informacionit.
“BE do të vazhdojë të fuqizojë kulturën e kontrollit të fakteve në Shqipëri, paralelisht me përpjekjet për të promovuar edukimin mediatik dhe mbështetjen e medias së pavarur”, tha ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato./ (5 prill)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.