Në Shqipëri u krijua Qendrën Rajonale të Inovacionit të Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para (EIT Raw Materials Regional Innovation Center), projekt i mbështetur dhe i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.
Kjo qendër, e vetmja në Ballkanin Perëndimor, synon të nxisë kërkimin shkencor në sektorin minerar, vazhdimësinë e kërkimeve, zbulimin dhe përpunimin e lëndëve të para, duke u mbështetur në inovacion.
Gjithashtu kjo qendër do të shërbejë për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave mes profesionistëve e ekspertëve shqiptarë dhe atyre të Bashkimit Evropian në kërkim-zbulimin dhe përpunimin e lëndëve minerare, veçanërisht të atyre me rëndësi strategjike.
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së qendrës nga ku bëri të ditur se qendra do të rivitalizojë sektorin minerar.
Ajo vuri në dukje se edhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, si një partner strategjik i Shqipërisë, u arrit të hapet ky inkubator i ideve të reja dhe kërkimeve.
“Lëndët e para si kromi, bakri, hekuri ose nikeli janë një mundësi e rëndësishme ekonomike për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato. Sipas tij, për të mbështetur Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor për të përpunuar dhe shtuar vlerën e këtyre burimeve të çmuara, u çel edhe Qendra Rajonale e Inovacionit EIT RawMaterials në Elbasan.
“Ne do të mbështesim Shqipërinë për të shfrytëzuar në mënyrë të qëndrueshme potencialin e sektorit minerar. Kjo qendër pritet të jetë një nxitës i rritjes së qëndrueshme dhe inovacionit”, tha ambasadori i BE-së Silvio Gonzato./ (26 prill)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.