Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Silvio Gonzato deklaroi se BE ka disbursuar 115 milionë euro mbështetje buxhetore për Shqipërinë në vitin 2023, ndërsa siguroi që Plani i ri i Rritjes do të përfshijë financime të tjera.
Gjatë prezantimit të Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike, Gonzato nënvizoi rëndësinë e këtij dokumenti, ku përcaktohet mënyra si arrihen burimet financiare, por edhe si do të shpenzohen fondet.
Ambasadori nënvizoi se menaxhimi i financave publike është në thelb të procesit të integrimit europian, sepse kjo lloj strategjie prek shumë kapituj.
“Kjo tregon se sa të rëndësishme janë reformat e menaxhimit të fondeve publike për mirëqeverisjen, por edhe për funksionimin e demokracisë”, tha Gonzato.
Sipas tij, BE ka ofruar mbështetjen e vetë shumë të rëndësishme financiare dhe një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj mbështetje janë për sistemet e menaxhimit të fondeve publike.
“Vitin e kaluar BE ka disbursuar 115 milionë euro. Tashmë jemi në fazat përfundimtare të negociatave për instrumentin e ri të rritjes që do të përfshijë edhe financime të mëtejshme”, shtoi ai.
Po ashtu ambasadori nënvizoi rëndësinë e forcimit të mbikëqyrjes dhe monitorimit në fusha ku ka risk fiskal.
“Të merren masa për zgjerimin e bazës tatimore duke luftuar informalitetin dhe duke përmirësuar administratën tatimore. Jemi shumë të inkurajuar nga rezultatet e procesit të fiskalizimit dhe kemi inkurajuar që në mënyrë zyrtare të miratoni strategjinë afatmesme të të ardhurave që sjell parashikueshmëri në politikën tatimore”, tha ai./ (6 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.