Java e Evropës në Shqipëri që kulmon në 9 maj në Ditën e Evropës ka sjellë aktivitete të larmishme në disa qytete të vendit, ndërsa kalendari i ngjeshur i ngjarjeve artistike, sociale dhe njohëse ka mbledhur qytetarë të shumtë në promovimin e vlerave evropiane.

Java e Evropës u hap në Shirokë, një qytezë turistike buzë liqenit të Shkodrës në veri të Shqipërisë ku, së bashku me përfaqësues nga bashkia e Shkodrës, OJQ-të, projektet e financuara nga BE, artizanët vendas dhe njerëzit e mrekullueshëm të Shkodrës, ne nisëm Javën e Evropës 2024.

Në Shirokë, banda “The Door”, e përbërë nga persona me nevoja të veçanta dhe Western Balkans Youth Orchestra mahnitën me performancat e tyre, ndërkohë, në shëtitoren e Shirokës, qytetarët shkodranë zbuluan se si Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të saj mbështesin grupet vulnerabël në Shqipëri.

Më pas, radha i takoi Gjirokastrës, qytet në jug të Shqipërisë ku qindra qytetarë u bashkuan në promovimin e gjithëpërfshirjes, diversitetit dhe të drejtave të njeriut. Të pranishmit vizituan ndërtimin e Tregut Tradicional Rom të financuar nga BE, që do të hapet së shpejti.

Panairi i BE-së prezantoi më shumë se 15 programe të BE-së në mbështetje të grupeve dhe komuniteteve të ndryshme dhe që dëshmojnë prezencën e Austrisë, Gjermanisë dhe Francës në Shqipëri.

Përfaqësues të komuniteteve fetare u mblodhën në një diskutim mbi bashkëjetesën fetare dhe dialogun në Shqipëri.

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, artistë të ndryshëm romë dhe DJ Ledi Si performuan në pika të ndryshme të qytetit, duke përfshirë shtëpinë e të moshuarve.

Java e BE do të kulmojë në Tiranë më 9 maj ku do të zhvillohet një panair i BE./ (8 maj)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.