Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë organizoi me rastin e Ditës së Evropës, panelin “Evropa në shtëpi”, me pjesëmarrjen e ministrit Igli Hasani, ambasadorit të delegacionit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato dhe zyrtarëve e të ftuarve të tjerë të lartë.
Ministri i Jashtëm shqiptar u shpreh se Evropa do të jetë më e plotë vetëm me integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë, ekziston një interes i përbashkët, ndërsa u ndal edhe tek agresioni rus në Ukrainë që siç u shpreh synon të shtrihet përtej kufijve të Ukrainës.
“Slogani ‘E duam Shqipërinë si e gjithë Europa’, sot është teza parësore e politikës tonë të jashtme. Integrimi evropian mbetet detyrim i madh moral i yni ndaj brezave të rinj”, shtoi Hasani.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë Silvio Gonzato u shpreh se Bashkimi Evropian ka dhënë sinjale të qarta se duhet të përfundojë procesin e integrimit me vendet e rajonit.
Por, sipas ambasadorit “të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të çojnë para reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian”.
Duke folur për Planin e Rritjes së BE, Gonzato u shpreh se ideja është integrimi i vendeve me njëra-tjetrën./ (10 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.