Strategjia gjithëpërfshirëse e migracionit për shtatë vitet e ardhshme në Shqipëri është në përputhje me prioritetet kryesore të Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në Tiranë u mbajt Konferenca Ndërministeriale e vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor” ku u diskutua mes të tjerash edhe miratimi së fundmi strategjia e Shqipërisë në këtë drejtim.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh se strategjia, jo vetëm që është në përputhje me prioritetet kryesore të Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, por është edhe më ambicioze.

 Sa i përket migrimit dhe menaxhimit të kufijve, ambasadori i BE theksoi se, “Plani i Veprimit i BE-së për Ballkanin Perëndimor, i paraqitur nga Komisioni Evropian në dhjetor 2022, mbetet një kornizë kyçe politike dhe operacionale për migracionin, azilin dhe menaxhimin e kufijve. Është një kornizë për bashkëpunim jo vetëm me BE-në, por edhe mes partnerëve në rajon, me qëllim që të trajtohen së bashku sfidat e migracionit dhe sigurisë”.

“Zbatimi i tij tashmë ka sjellë rezultate pozitive, duke kontribuar në uljen e presionit migrator me gati një të tretën në rrugën e Ballkanit Perëndimor në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022”, nënvizoi Gonzato.

Për sa i përket menaxhimit të kufirit, janë nënshkruar marrëveshjet e reja të Statusit me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Negociatat me Serbinë janë finalizuar dhe nënshkrimi do të bëhet në javët në vijim. Negociatat teknike me Bosnjën dhe Hercegovinën pritet të fillojnë shumë shpejt.

Për kthimin dhe ripranimin, sipas Gonzatos, BE është shumë e kënaqur me nivelin e bashkëpunimit për të zbatuar Marrëveshjet dypalëshe të Ripranimit. “Është e rëndësishme të ndërtohen më tej kapacitetet operacionale për të siguruar funksionimin e mirë të sistemeve të azilit dhe për të siguruar kushte të përshtatshme pritjeje”, nënvizoi Gonzato./ (15 maj)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.