Administrata publike shqiptare mbajti detyrën e rëndësishme në procesin screening të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ndërkohë që një trupë e pavarur dhe profesioniste është edhe ndër kushtet e anëtarësimit.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë mes shumë projektesh që ofron për rritjen profesionale të administratës publike, tashmë ka nisur edhe programin për nëpunësit e rinj civilë.

23 nëpunës të rinj civilë,falë programit Young Cells, të financuar nga Bashkimi Evropian janë më të përgatitur për të vazhduar punën e tyre.

Ata patën mundësinë të fitojnë njohuri profesionale mbi funksionimin e administratave publike të pesë vendeve anëtare të BE-së: Franca, Gjermania, Italia, Greqia dhe Kroacia dhe të shoqërohen me kolegët nga vendet e BE-së.

BE po investon në të ardhmen e administratës publike shqiptare në nivel qendror dhe vendor.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato ndërsa takoi nëpunësit e rinj u shpreh se administrata publike do të luajë një rol kyç gjatë procesit të anëtarësimit në BE.

“Këta të rinj do të ndihmojnë me profesionalizmin e tyre për të adresuar disa nga sfidat me të cilat përballet administrata publike”, u shpreh ai.

Disa nga sfidat janë ofrimi i shërbimeve me kosto efektive për qytetarët dhe sigurimi i procedurave të drejta dhe transparente.

“Së bashku me Shqipërinë duam të promovojmë kushtet për tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve në administratën publike. Një administratë publike transparente dhe e përgjegjshme është shumë e rëndësishme”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.