Bashkimi Evropian e vlerëson si mjaft të rëndësishme ngritjen e Zyrës për Rikuperimin e Aseteve të Vendosura nga Krimi, vendim i marrë pak ditë më parë nga qeveria shqiptare, me propozim të Ministrisë së Brendshme.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato gjatë një tryeze koordinuese me donatorët organizuar nga Ministria e Brendshme shqiptare tha sot se kjo zyrë, por edhe projektligji që po hartohet për Policinë e Shtetit, janë mjaft të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar, rendin dhe sigurinë.

Gonzato vlerësoi se ligji për rikuperimin e aseteve të krimit po diskutohet me shërbimet përkatëse.

Zyra që do të themelohet së shpejti përputhet dhe me axhendën e reformimit që është rënë dakord mes BE dhe Shqipërisë.

“Partnerët e BE dhe përtej BE-së, bashkohen në përpjekjet për ndërmarrjen e reformave për zbatimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës, që përfshijnë standarde, praktika, që krijojnë një shtet më të sigurtë dhe që ofron siguri për të gjithë qytetarët e tij dhe ku respektohen të drejtat e njeriut. Një vend më i sigurtë, thith më shumë investitorë dhe ushqen zhvillimin ekonomik të vendit”, u shpreh Gonzato.

Duke folur për sfidat me të cilat përballet Shqipëria, Gonzato tha vendi është një zonë me risk sa i takon pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Për këtë, tha Gonzato, duhet bashkëpunim më i gjerë me shoqërinë civile dhe jo vetëm./ (21 qershor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.