Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Sllovenisë, ish-europarlamentarja Tanja Fajon u shpreh nga Tirana se Shqipëria është tashmë në rrugën e duhur për sa i takon procesit të integrimit evropian.

Fajon mori pjesë në panelin “Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE”, që u mbajt në kuadër të konferencës treditore të ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”.

Fajon tha se tani është shansi i mirë për të punuar fort për zgjerimin e BE-së edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Fajon solli në vëmendje deklaratat e Presidentit të Këshillit të Evropës, Charles Michel, vitin e kaluar, ku u përmend 2030-ta si një mundësi për anëtarësim.

“Kemi një shans, për shkak edhe të luftës ruse në Ukrainë, duam të bëjmë më të fortë Evropën. Le të jemi gati nga ana jonë dhe nga ana e BE-së për 2030. Ky mund të jetë një shans nëse nga të gjitha palët, politikanët por edhe nga ana e shoqërive tona, merret seriozisht një gjë e tillë. Vazhdimësia në këtë rrugë do të bëjë që për pak vite disa vende të jenë pjesë e BE-së“, deklaroi Fajon.

Ajo vlerësoi se ndikim pozitiv në këtë drejtim do të japë edhe Plani Rritjes i Komisionit Evropian.

Kryediplomatja sllovene theksoi nevojën e bashkëpunimit mes vendeve në rajon, në mënyrë që rajonit të jetë i qëndrueshëm, të ketë paqe dhe të punojë së bashku sidomos për brezin e ri.

Njëkohësisht, Fajon vlerësoi edhe punën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, teksa Sllovenia po përgatitet të marrë presidencën këtë shtator./ (26 gusht)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.