Bashkia e Tiranës dy vendime për studentët

Si pasojë e krizës ekonomike botërore, që po ndihet edhe në Shqipëri, si rezultat i luftës në Ukrainë, bashkia e Tiranës do të subvencionojë 50% të kostos së konvikteve si dhe do të japë abone falas për të gjithë studentët.

Këshilli bashkiak i Tiranës miratoi këto dy vendime të rëndësishme, që lehtësojnë shumë të rinjtë që studiojnë në kryeqytet.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se kompensimi i biletës së pajtimit mujor të përgjithshëm për studentët do të vlejë për të gjitha linjat e transportit qytetës në bashkinë e Tiranës për periudhën tetor 2022-qershor 2023.

Ndërkaq, pajisja e studentëve me abone studenti, do të bëhet falas nëpërmjet sistemeve elektronike të Kartës së Studentit.

“Për të gjithë studentët që kanë Kartë Studenti, mjafton paraqitja e kartës së studentit në pikat ku japim abonetë falas”, u shpreh Veliaj duke shtuar se në fund të çdo muaji, bashkia do të bëjë rimbursimet tek kompanitë.

Kryebashkiaku ka deklaruar se studentët do të lehtësohen nga tarifa e konviktit,ku 50% do ta paguajë bashkia./ (20 tetor 2022)

Bursa për studentët ekselentë e barabartë me pagën minimale

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të ndërmarrë një tjetër politikë të re në mbështetje të studentëve.

Gjatë një takimi të kësaj jave me rektorët e universiteteve dhe dekanët e fakulteteve, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Evis Kushi deklaroi se studentët ekselencë që fitojnë olimpiadat kombëtare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat.

Gjithashtu, ajo theksoi se për këta studentë do të jepen bursa sa paga minimale, që aktualisht është 34,000 lekë.

“Asnjëherë në Shqipëri nuk ka patur bursa të tilla për studentët shqiptarë që studiojnë brenda vendit”, tha Kushi.

Sipas statistikave aktuale të Rrjetit Akademik Shqiptar, mbi 22,000 studentë janë regjistruar në universitete. 

Programet më të preferuara dhe ku regjistrimet janë në nivele shumë të larta janë shkencat mjekësore dhe shëndetit, infermieria dhe IT./ (19 tetor 2022)

Karta e studentit me çmime të reduktuara

Të gjithë studentët përfitojnë tarifa të reduktuara dhe oferta të dedikuara si nga institucionet publike ashtu edhe nga subjektet private, një angazhim i ndërmarrë nga qeveria që në vitin 2019.

Studentët kanë lehtësira në 62 shërbime të ndryshme publike dhe mbi 40 kompani private që nga bankat, telekomunikacioni, transporti, supermarketet, njësitë e shërbimit kulturor, kinematë, teatrot, sporti e tjerë.

Në Tiranë ofrohen 84 shërbime publike si dhe 120 shërbime private.

Disa nga shërbimet që ofrohen janë qendra kursesh dhe trajnimesh, muze, kinema, biblioteka, galeri artesh, librari, shërbime telefonike, agjenci udhëtimesh, kancelari, abone studenti, farmaci, palestera, shërbime dentare, klinika okulistike, restorante e tjerë./ (19 tetor 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.