Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u dorëzoi autoriteteve shqiptare raportin e progresit të KE-së për Shqipërinë për vitin 2024. Gonzato pati takime me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama, Kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali dhe kryetaren e Komisionit për Çështjet Evropiane, deputeten e Partisë Demokratike në opozitë, Jorida Tabaku.

Gonzato e cilësoi një ditë të mirë për Shqipërinë ndërsa theksoi se tani është momenti për të shfrytëzuar rastin dhe përshpejtuar procesin e reformave për të mirën e popullit shqiptar.

“Kjo do të kërkojë një udhëheqje të qëndrueshme politike, një angazhim të gjerë ndërpartiak, një strukturë solide negociuese, si dhe mekanizma konsultimi efektiv dhe gjithëpërfshirës me shoqërinë e gjerë dhe palët e interesuara”, tha Gonzato.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Gonzato tha se BE mbështet planin e Shqipërisë për të mbyllur të gjithë kapitujt e anëtarësimit brenda vitit 2027.

“Kjo është treguar nga proceset e skanimit nga ana e BE-së, kjo është një ofertë nga ana jonë për gatishmëri dhe mbështetje, por kërkon edhe përpjekje të konsiderueshme dhe vullnet politik nga ana e Shqipërisë, por edhe gatishmërinë e shteteve anëtare për çeljen e kapitujve”, theksoi ai.

Në një dalje të përbashkët për mediet me ambasadorin Gonzato, Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se “përtej të gjitha polemikave të brendshme Raporti i Progresit 2024 për Shqipërinë bën një vlerësim të lartë të zbatimit të reformës në drejtësi”.

“Patjetër ka pika të caktuara që duhen adresuar dhe ka ende boshllëqe që duhen mbushur, me shumë të drejtë”, shtoi Rama.

“Më vjen shumë mirë që nga viti në vit marrim nota më të mira, por jemi shumë të vetëdijshëm që për të marrë notën maksimale, që është vula e anëtarësimit në BE, kemi shumë akoma për të bërë dhe kemi të meta dhe boshllëqe për të adresuar dhe jemi shumë të bindur që kemi gjithë kapacitetet për t’i adresuar dhe falë edhe partneritetit gjithmonë e më të ngushtë që kemi me delegacionin e Komisionit Evropian këtu dhe vetë KE-në në Bruksel”, tha Rama. (1 nëntor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.